Kryeministri Rama ëhstë duke folur në këto momente nga Aeroporti i Kukësit ku prej ditësh ka nisur intensivisht puna për vënien e tij në punë dhe kthimin në terminal ndërkombëtar pasagjerësh.
“Aeroporti nuk ishte as gati as gjysmë gati. Ishte një pistë e ndërtuar me bujari të madhe nga Mbreti i Emirateve të Bashkura dhe e asistuar këtu nga vetë Princi i Kurorës. U ndërtua në atë kohë për të ulur mjetet që sillnin ndihma për ata që u shpërngulën me dhunën e spastrimit etnik nga Kosova. Nuk ishte një pistë që mund të shërbente si një aeroport ndërkombëtar, me të gjitha standardet dhe garancitë për të ulur avionët e pasagjerëve.
Sot, është një kantier i madh që është vënë në punë intensivisht. Pasi janë zgjidhur problemet me banorët përreth, terrenet e të cilëve janë në dispozicion të aeroportit. Me një terminal që tashmë ka marrë formë, dhe do jetë terminal i mirëfilltë i një terminali ndërkombëtar. Me një ambicje të qartë: për ta kthyer Kukësin në një pikë referimi”, u shpreh Rama.
Ndërkohë, pas tij dhe përreth shfaqen punëtorët dhe makineritë e rënda duke punuar. Ajo që bie në sy është se në këtë prezantim të nisjes së punimeve për hapjen e Aeroportit të Kukësit në pranverë, Rama u shfaq i vetëm. Në këtë prezantim mungon ministrja Belinda Balluku, pasi kjo e fundit është prekur nga Covid-19. Një javë më parë ajo lajmëroi se do të ishin në Kukës për të inspektuar punimet.