Kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku është një hap larg konfirmimit në detyrë, si pjesë e drejtësisë së re.
Zonja Marku, e cila në fund të vitit të kaluar u kthyer në ‘mollë sherri’ mes mazhorancës dhe opozitës, do të dalë para komisionit të Vetingut në datën 3 korrik, për t’u njohur me rezultatet e verifikimit të saj, për ligjshmërinë e pasurisë, kontaktet e mundshme me krimin dhe aftësitë profesionale.
Nga verifikimi i deklaratave të pasurisë, zonja Marku rezulton me një pasuri modeste. Sa i takon pasurive të paluajtshme, kryeprokurorja posedon 1/3 e një shtëpie banimi me sipërfaqe 55 m2, ku siç duket është banesa e prindërve.
Në vitin 2007, kryeprokurorja, së bashku me bashkëshortin, deklarojnë blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 103 m2, me vlerë 5 000 000. Apartamenti është blerë me anë të një kredie dhe nga kursimet.
Ndërkaq, në vitin 2015, bashkëshorti i zonjës Marku deklaron 25 % të një apartamenti me sipërfaqe 60 m2, fituar nga privatizimi i banesës shtetërore.
Sa i takon të ardhurave, kryeprokurorja deklaron vetëm pagën e saj si prokurore ndër vite dhe pagën e bashkëshortit nga pozicioni oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Nga viti 2011, kryeprokurorja deklaron edhe të ardhura si pedagoge e jashtme në Universitetin “Gjon Buzuku”, Shkodër.


