Kryeministrin Edi Rama e pashënë ngërç në bisedimet mes delegacionit shqiptarv dhe atij grek, ndonëse në asamblenë e PDIU deklaroi se do ta kishte parësore çështjen çame. Kështu u shpreh kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, duke komentuar takimin 3 ditor të zhvilluar në Korçë mes ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe homologut grek, Nikos Kotzias.
Kreu i PDIU theksoi se pala shqiptare duhet të ketë kujdes që përpos heqjes së ligjit grek të luftës, “Greqia duhet të heqë të gjitha barrierat që sjell ky ligj. Duhet të hiqen të gjitha efektet e ligjit të luftës, ndryshe do të jetë në favor të Greqisë”.
“Është “pesë me hiç” nëse ligji i luftës hiqet me një traktat miqësie. Pasi edhe traktati i 1996 mbaroi dhe nuk pati asnjë vlerë.U takua Bushati me Kotzias në Kretë, i futën edhe një valle greke, pastaj erdhi edhe Kotzias në Korçë dhe asgjë nuk u mor vesh se çfarë u diskutua. Ne i marrim vesh gjërat nga pala greke, pas takimit të parë Kotzias-Bushati u vu në zbatim marrëveshja për kërkimin e varreve greke”, u shpreh Idrizi, në studion e Report Tv.
Duke iu referuar gërmimeve që po kryhen në territorin shqiptar për gjetjen e eshtrave të ushtarëve grekë të rënë në luftën Italo-Greke, Idrizi theksoi “më gjeni një precedent në Europë që janë lënë varrezat e ushtarëve të rënë në një vend tjetër”.
“Ushtarët erdhën si pushtues. Në momentin që Italia pushtoi Shqipërinë, e vetmja qeveri që e ka përshëndetur ka qenë qeveria e Greqisë, i cili e përshëndeti, ndërsa të gjithë e dënuan. Greqia pretendonte se i hapej rruga e copëtimit.
Ushtarët rrinin akoma këtu pas luftës, pasi kërkonin të bënin fakt Vorio Epirin. Prandaj pala shqiptare nuk duhet që ta kishte lejuar çështjen e varrezave. Grekët janë në rregull dhe po avancojnë, ne shikojmë vetëm plotësimin e axhendës së Greqisë.
E dini që do të kërkojnë varre në 120 vende, kanë futur edhe Himarën. Por për grekët që vranë dhe masakruan do të bëjnë ndonjë varrezë? Po pse po kërkojnë nga Himara? Pse nuk filluan nga Kosina, ti marrin t’u bëjnë ADN, problemi këtu është më i madh”, tha Idrizi.


