Gjatë dëshmisë në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, kryeministri Edi Rama u pyet edhe për tre personat e shpallur në kërkim për këtë aferë, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja.
Kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, e pyeti kryeministrin nëse ka dijeni që këta persona po ngrenë të njëjtën skemë korruptive edhe në Zimbabve, me lekët që kanë vjedhur nga shteti shqiptar, por Rama tha se nuk dinte gjë dhe se do të merrte informacion, pasi e cilësoi një “fantazi të guximshme” një deklaratë të tillë.
Pjesë nga debatet:
Tabaku: A jeni në dijeni të faktit se po përdoret në Zimbabve nga të njëjtat persona?
Rama: Nuk e di çfarë suksesi kanë arritur ata në Zimbabve, unë jam lidhur me Ruhanda, sepse ka pasur sukses në ndalimin e plastikës.
Tabaku: Nëse nuk ke dijeni…
Rama: Më lër të jap përgjigje. Çdo pyetjeje që do i vësh nuancë, do marrësh përgjigje me nuancë. Më lër të mbaroj. Me Ruandën kemi një bashkëpunim të natyrës së marrjes së mendjes, se si e kanë realizuar ata heqjen e plastikës. Për Zimbabve nuk jam në dijeni, por do e shoh. Do krijojmë shumë lidhje dhe me Afrikën.
Tabaku: Pyetja lidhe me fonde pulitke që janë përdorur nga tre pronarët e inceneratorëve dhe janë investuar në Zimbabve. A kanë ngritur ata të njëjtën skenë në Zimbabve, siç e kanë bërë në Shqipëri, dhe po investojnë atje me fonde që i kanë këtu nga kontrata publike.
Rama: Kjo është shumë interesante. Nga e nxirrni ju këtë. Shteti shqiptar paska financuar në Zimbabve? Më tregoni një dokument. Ky është një opinion shumë guximtar, në aspektin e fantazisë, por nuk e di ku është lidhja. Nuk kam dijeni për këtë, do ta shoh me shumë interes.
Tabaku: Gjatë analizës së fakteve e provave që ka mbledhur komisioni, të tre kompanitë e inceneratorëve, ka rezultuar se ata nuk kanë pasur kapitalin për të investuar këto projekte. A ju kanë informuar vartësit tuaj për këtë?
Rama: Znj. Tabaku unë kam informim të ndryshëm, por për shkak të detyrës jam shumë i disiplinuar në mësimin e gjërave për të cilat flas. Nuk flas për gjëra që nuk i di, përgatitem shumë mirë kur duhet të flas. Kam dëgjuar hera herës këtë punën e kapitaleve, madje së fundi kam dëgjuar që edhe kompania që ka marrë përsipër Portin e Durrësit nuk ka lekë, dhe kam mësuar që këto janë të gjitha interpretime, që i bëjnë të qeshin njerëzit e kapitaleve. Kjo është në parim. Sa i përket konkretisht, jo nuk më kanë vënë në dijeni për këtë. Dhe besoj se ky është një interpretim, një lexim i juaji i ekonomisë. Unë kur merrem me projekte, nuk merrem me këto pjesë, unë dua punën në terren, dua që gjëja të bëhet.
Tabaku: Pse nuk i zhvilluan si prokurime këto projekte?
Rama: Kryeministri nuk merret me prokurime, s’janë fare punët e mia.
Bushati: Lepuri fle te lekët.
Rama: Te lepuri? Po, aty, te lepuri që i keni futur në bark njerëzve. Dhe një gjë për ta pasur
parasysh, 100 milionëshi juaj nuk figuron, nuk del llogaria.
Tabaku: Do arrijmë.
Rama: Shpresoj.
Tabaku: Çfarë ju bindi që Zoto, Mërtiri i Gugallja ishin tre personat që mund të zbatonin këto projekte?
Rama: E para, kryeministrit nuk i ka ardhur fare në tavolinë asnjë projekt i tillë, se nuk ka pse t’i vijë. E përsëris që pyetjet janë ndërtuar, pavarësisht çfarë them unë. Unë po them që këto janë procese të ndara. Se çfarë i bindi e çfarë mendoj unë se i ka bindur ata, është pak e vështirë ta them, por unë mendoj se ata kanë të drejtë, ju keni gabim, kaq.
Tabaku: Pse nuk e zhvilloi vetë shteti shqiptar këtë projekt, pse u zgjodhën tre kompani pa eksperiencë?
Rama: Ju jeni në të drejtën tuaj të bëni pyetje, që ma ha mendja se nuk tingëllojnë mirë as në publik, se duken si absurde, por unë e kam përgjigjen në majë të gjuhës. Nuk kam asnjë opinion për këtë, se e kam në majë të hundës përgjigjen, por po përgjigjem si dëshmitar. Nuk dua t’ua jap përgjigjen, se keni qenë në Bashkinë e Tiranës.


