Mariupoli është një ndër qytetet më të goditur nga bombardimet, teksa ditën e djeshme Rusia lëshoi një ultimatum për Ukrainën që ta dorëzonte qytetin.
Volodymyr Zelensky dhe administrata e tij e refuzuan kategorikisht këtë kërkesë, ndërsa qytetarët shprehen se janë të frikësuar dhe çdo ditë i shuhen edhe më shumë shpresat se do të mund të evakuohen drejt një vendi të sigurt.
“Jam e sigurt se do të vdes së shpejti. Është çështje ditësh. Në këtë qytet të gjithë presin vdekjen. Do të doja që të mos ishte kaq e frikshme.”-, tha një prej qytetarëve të Mariupolit.
Banorët e këtij qyteti nuk u lejuan nga forcat ruse të largoheshin drejt korridoreve të evakuimit, ndërsa autoritetet në Kiev deklaruan se ata po mbaheshin peng nga ushtria e Putinit. Qyteti është thuajse i shkatërruar, ndërsa prej javësh nuk ka furnizim me energji elektrike apo ujë. Dhe ushqimet janë të pakta, teksa nuk lejohen të hyjnë as ndihmat e dërguara nga zonat e tjera të Ukrainës.


