Bashkëpunimi me ndërkombëtarët, partnerët strategjikë, vijoi të jetë pika kyçe e suksesit të SPAK edhe për vitin 2023, kryesisht për ndihmë juridike në fushën e krimit të organizuar. Për të arritur qëllimet në hetime, 123 letërporosi u dërguan në 32 shtete të ndryshme, për të cilat 54 prej tyre kanë pasur një kthim përgjigje. Vendin kryesor e zë Franca, së cilës iu nisën 30 letërporosi. Kthimi i përgjigjeve të të tyre ndihmoi në shkatërrimin e grupeve kriminale që bazën e komunikimit e kishin në aplikacionet që u dekoduan nga autoritetet franceze, “SkyECC” dhe “EncroChat”.
Komunikim SPAK pati gjatë vitit 2023 me vendet e Amerikës Latine, ku shqiptarët janë kthyer në zotër të trafikimit të kokainës, ndër to Kolumbia, Meksika, Ekuadori apo Brazili. Krahasuar me vitin 2022, SPAK dërgoi 2 herë më shumë letërporosi. Interes në hetime pati edhe nga jashtë vendit dhe në drejtim të SPAK gjatë vitit të shkuar erdhën 48 letërporosi dhe vendin kryesor e zë Belgjika me 11 në total, kryesisht për krimin e organizuar shqiptarë që bazën e ka atje, jo vetëm për trafikim kokaine, por edhe vrasje dhe plagosje.Më tej vijnë shtete të tjera si Holanda, Gjermania, Italia apo Spanja. SPAK ktheu përgjigje për ndihmë juridike për 41 prej tyre. SPAK nisi jashtë vendit 39 kërkesa për ekstradim, gati katër fish më shumë se viti 2022, një pjesë e së cilave janë ekzekutuar dhe të tjera që presin vendimin e gjykatave atje, përfshirë lokalizimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.


