Forca të shumta të policisë të asistuar nga agjentët e BKH kanë kryer një aksion për kapjen e Suel Çelës, i cili është në kërkim për porosi për vrasje në Elbasan. Blutë kanë zbarkuar në tregun agroushqimor dhe në shtëpinë e këtij të fundit për kontrolle. Ende nuk dihet nëse Çela është gjetur apo arrestuar pasi policia është e rezervuar në dhënien e informacionit.
Në maj të vitit 2022 ai u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” të organizuar nga SPAK. Sipas dëshmisë së Nuredin Dumanit ai është porositës i tre ngjarjeve 2 të parealizuara dhe 1 e mbetur në tentativë. Suel Çela akuzohet se ka porositur atentatin e dështuar të 29 marsit 2022 ndaj Elton Kilës, që do ta kryente bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, por i cili mbeti i plagosur rrugës dhe më pas u arrestua.
Suel Çela nga Elbasani, rezulton i dënuar në Itali për trafikim narkotikësh, por ai ka arritur t’i shpëtojë burgut. Në nëntor 2019, Gjykata e Elbasanit vendosi ta shpallë të pafajshëm Celën për sulmin ndaj policisë tek tregu ushqimor i Elbasanit. Ngjarje kjo që tronditi opinionin publik në shtator 2017 kur dolën pamjet e Audit të zi, të blinduar që përplasi makinën zëvendësdrejtorit të policisë Gjergj Oshafi. Edhe pse prokuroria kërkoi 7 vite burg, gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm Çelën për mungesë provash, ndërsa dënoi shokun e tij si autor të ngjarjes. Suel Çela rezulton ‘fukara’ pasi nuk ka asnjë biznes në emër të tij, ndonëse i ati është biznesmen dhe zotëron tregun agro-ushqimor në qytetin e Elbasanit, ku ndodhi dhe përplasje me policinë në 2017.


