Prokuroria e Posaçme po sekuestron pasuritë e Jamarbër Malltezit, dhëndrit të Sali Berishës. Ndërsa ai u la në burg një ditë më parë, oficerët e Policisë Gjyqësore po vijojnë punën në terren për vënien e sekuestros preventive për të gjitha pasuritë e kërkuara nga SPAK. OPGJ ka zbarkuar këtë mëngjes në ambientet e ish-kompleksit sportiv Partizani, ose siç njihet tashmë kompleksi Magnet, ku janë ndërtuar 19 kulla.
Në këtë kompleks ka pasuri të paluajtshme edhe Malltezi, i cili është në burg pikërisht për këtë aferë, privatizimin e ‘Partizanit’. Report Tv solli pamjet e oficerëve të Policisë Gjyqësore teksa u futën në kompleksin Magnet dhe morën veprimet për sekuestrimin e 9 apartamenteve dhe dyqaneve të Malltezit. Mes listës së pasurive që do sekuestrohen në këtë kompleks, janë edhe 60% e aksioneve së palestrës që Malltezi ka në Magnet Gym&Fit dhe ndodhet brenda ‘kompleksit ‘Magnet’.


