Një 58-vjeçar me origjinë shqiptare me inicialet A.K., është arrestuar në Greqi në kuadër të operacionit “Të Kërkuarit”.
Arrestimi u krye pas bashkëpunimit midis policisë shqiptare dhe asaj greke.
Sipas mediave greke i arrestuari ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Fierit, më 27 qershor 2013, e dënoi me 14 vjet burg për veprat penale të “vrasjes me dashje” dhe “mbajtjes dhe prodhimit pa leje të armëve dhe municionit”.
Në vitin 1999, 58-vjeçari, gjatë një përleshjeje me tre civilë, qëlloi disa herë drejt tyre. Një person humbi jetën dhe dy anëtarë të tjerë të familjes së të ndjerit u plagosën.
Sipas burimeve policore, i kërkuari ishte larguar nga Shqipëria dhe kishte gjetur strehim në Greqi.
Ai ndodhet aktualisht në paraburgim në Greqi ndërsa vijon puna për ekstradimin e tij në Shqipëri, me qëllim vuajtjen e dënimit.


