Jo vetëm të ardhurat, por edhe shpenzimet këtë vit janë rritur ndjeshëm në raport me vitin që shkoi. Shpenzimet deri në fund të tetorit arritën në vlerën e 449.6 miliardë lekëve, me një rritje prej 8.7% krahasuar me 10 mujorin e vitit 2020, kur ishin shpenzuar rreth 413.5 miliardë lekë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave nga janari deri në tetor janë rritur me 38.5% shpenzimet për investime. Konkretisht nga 57.111 miliardë lekë që u harxhuan vjet në këtë vit shpenzimet kapitale kapën shifrën e 79.115 miliardë lekë.
Ndikimin më të madh në rritjen e shpenzimeve për investime e ka pasur procesi i rindërtimit, për të cilin janë shpenzuar këtë vit mbi 22 miliardë lekë.
Ndërsa sa i takon shpenzimeve korrente, për paga, sigurime, pagesa interesash, shpenzime për pushtetin vendor etj, janë rritur me 7.6% krahasuar me 10 mujorin e 2020-ës. Në total shpenzimet korrente ishin 369,855 miliardë lekë.
Në këtë grup janë rritur me 12.3% shpenzimet për interesat e borxhit. Sipas të dhënave të financave deri në tetor janë paguar 32,932 miliardë lekë për interesat e borxhit publik, që është niveli më i lartë i regjistruar që prej vitit 2013. Shpenzimet për interesat janë shtuar si pasojë e rritjes së borxhit gjatë dy viteve të fundit për shkak të pandemisë COVID-19.