Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur dakordësinë për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat po diskutohen në Komisionin e Ligjeve mes debateve.
Deputetët opozitarë Dash Sula dhe Enkelejd Alibeaj kritikuan draftin, ndërsa thanë se u dorëzua nxitimthi vetëm 30 minuta para nisjes së mbledhjes. Për Sulën, gjithçka është vulosur dhe po përsëritet skema e 2008.
“S’ka asnjë lloj logjike, që unë e mësoj gjysmë ore para, skam pasur mundësi ta lexoj pr.ligjin që është depozituar nga PS dhe PD. Gjithçka është vlerësuar, vulosur dhe ka ardhur këtu. Nisma të tjera që do diskutohen sot janë totalisht kot”, tha Sula.
Më i ashpri ishte deputeti Alibeaj, i cili draftin e cilësoi një Pazar që i dhuron Edi Ramës mandatin e katërt në tavolinë. E ndërsa për PD, thotë se po sigurojnë që të kapin ndonjë karrige në zgjedhjet e 2025.
“Ajo se çfarë po bëhet sot, nuk është se po bëhet një Reformë Zgjedhore e minutës së fundit, me një Pazar të bërë natën fshehtas, sot po i dhurohet mandati i katërt Ramës në tavolinë. S’ka nevojë sot më për zgjedhje, e ka marrë, e ka blerë pushtetin dhe mandatin e katërt. Dhe bashkë me të mbetet e vetmja gjë, si të ruajmë ndonjë karrige për vete”, tha Alibeaj.
Sa i takon propozimit për mbylljen e listës me 1/3, partitë e vogla opozitare, mes tyre edhe Alibeaj, kërkuan që lista 100% e hapur të jetë opsionale për partitë.
“Të lini opsion për partitë e tjera që nëse duan t’i lënë 100% të hapura, kjo adreson të gjitha shpresat e shoqërisë”, tha Adriatik Lapaj.
“Të paktën të jete e mundshme, të lihet fakultative për çdo subjekt politik, kush do ta ketë të hapur ta ketë të hapur”, tha Mediu.
Por, PS është e prerë në këtë pikë, ku deputeti Damian Gjiknuri tha se ligji do të jetë uniform për të gjitha partitë.
“Pse nuk e lëmë totalisht të hapur? Ka një parim. Ligji duhet të jetë uniform, ODHIR tha që uniformiteti është i detyrueshëm sepse konfuzon votuesin dhe nuk zbatohet ligji në mënyrë të njëjtë, pra i njëjti ligj që vlen për një parti duhet të vlejë edhe për një parti tjetër”, tha Gjiknuri.


