ETLEVA DELIA / Një 38-vjeçar, që e kishte mbushur bagazhin e mjetit të tij luksoz me armë, drogë, para, bllokues valësh celulari, por edhe me një sasi prej mbi 2.7 milionë lekësh të rinj, mbase s’do ishte zbuluar kurrë nëse s’do i ishte frikësuar prezencës së një makine Policie në rrugë.
Mjete të tilla, si një “Mercedes S Class”, që të ngjajnë me ato zyrtare, nuk ndodh shpesh që të ndalohen për kontroll rutinë, të paktën jo pa pasur ndonjë sinjalizim paraprak. Por lëvizjet e dyshimta e të shpërqendruara të drejtuesit të mjetit u kanë tërhequr vëmendjen shërbimeve të Policisë, që nuk kanë ngurruar t’i vihen pas. Forcat e Posaçme “Shigjetat” e kanë ndjekur makinën luksoze, që drejtohej nga Bledi Haka, deri në afërsi të Liqenit të Thatë, aty ku ai më pas është bindur që të ndalojë. Nga verifikimi paraprak nuk rezultoi person me precedentë penalë, por si person që kishte mbetur i plagosur në një ngjarje të 8 viteve më parë në Tiranë, në zonën e “Porcelanit”.
Fillimisht, Bledi Haka ka tentuar të bëjë të paditurin, duke i pyetur efektivët e Policisë se për çfarë e kishin ndaluar, por duket se fytyra e ka tradhtuar dhe ngurrimi për të hapur bagazhin e mjetit edhe më shumë. Kaq ka mjaftuar që shërbimet e Policisë ta zbresin në tokë për kontroll e më pas kanë “zbërthyer” edhe makinën e tij. Sa kanë hapur bagazhin janë përballur me një “arsenal” provash, që në gjuhën e tyre quhen sende të jashtëligjshme. Aty kanë gjetur pistoletë, fishekë, kokainë, hashash, thika, celularë e bllokues valësh celulari, çelësa makinash e karta bankash, por edhe mbi 2.7 milionë lekë të rinj. “Shpjegimin” e vetëm për të gjitha këto prova, Bledi Haka e ka bërë vetëm për armën, duke thënë se e kishte për vetëmbrojtje, ndonëse as ky argument nuk i ka hyrë në punë. Ndërsa për paratë, drogën dhe objektet e tjera nuk ka thënë asnjë fjalë.
Policia e Tiranës njoftoi dje se ka finalizuar operacionin e koduar “Liqeni”, të realizuar nga Forca e Posaçme “Shigjetat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve. Gjatë këtij operacioni përfundoi në pranga një person, që qarkullonte me armë zjarri. “Në kuadër të zbatimit të detyrave të përcaktuara në planin e masave për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo që ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, Forca e Posaçme ‘Shigjetat’ ka konstatuar një automjet, që kur ka parë mjetin e Policisë, ka kryer lëvizje të dyshimta. Shërbimet e Policisë ‘Shigjetat’ janë vënë në ndjekje të automjetit dhe në zonën e Liqenit të Thatë kanë bërë të mundur ndalimin e mjetit, si dhe bllokimin e drejtuesit të tij”, tha Policia.Gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë ushtruan në automjetin që drejtohej nga shtetasi B.H., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale armë, drogë, thika, para, çelësa makinash, karta banke, celular dhe bllokues valësh celulari.