Sekretari i Përgjithshëm i PS dhe kreu i grupit parlamentar të socialistëve,Taulant Balla, akuzoi opozitën se po keqpërdor situatën e pandemisë për politikë.
Në një intervistë për Ora News, ai veçoi ish-kryeministrin Sali Berisha, duke i quajtur të pavërteta deklaratat e tij se ndihmat ushqimore po shpërndahen me teser partie.
Referuar denoncimit të fundit të Berishës për Kamzën, Balla i sugjeroi të shesë shtëpinë në gjirin e Lalzit dhe të ndihmojë banorët nëse i dhemb aq shumë zemra për gjendjen e tyre.
Balla: Është pak të them keqardhje. Për mua si kundërshtar i tyre shyqyr që i kemi por shqiptar më vjen keq dhe them gjynah për Shqipërinë që i kemi. Këto lloj situatash nuk kanë qasje kurrsesi politike, janë situata ku kombi, politika dhe vendi bëhen bashkë, të gjithë kontribuojnë. Shikoni prijësin e tyre legjendar Sali Berisha, nuk kemi një ditë të vetme që me papërgjegjshmërinë që e karakterizon prej ditës kur ka hyrë në politikë thotë se ndihmat ndahen me tesera partie. Si mund të shkojë djallëzia njerëzore deri në këtë pikë? Sot kishte reaguar për Kamzën. Meqë i dhëmb zemra të shesë vilën e Lalzit dhe me lekët e saj të furnizojë të gjithë Kamzën me paketa ushqimore deri në fund të kësaj lufte.Jam shumë i prekur dhe irrituar edhe për shkak të detyrës sime si deputet në një zonë që e përfaqësoj prej vitesh, pasi për çdo ankesë mund tu drejtohesh bashkive përkatëse.


