Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla zhvilloi sot një takim me ekipet drejtuese vendore të Partisë Socialiste.
Në fokus të takimit ishte plani organizativ, thellimi i barazisë gjinore brenda partisë, si dhe vendosja e piketave strukturore për zgjedhjet e Prill-Majit 2021.
Në fjalën e tij Balla tha se PS në zgjedhjet e 2021 do të marrë besimin e shqiptarëve për mandatin e tretë me Edi Ramën, kryeministër.
“Duke respektuar të gjitha masat e domosdoshme mbrojtëse ndaj COVID-19, ne duhet të jemi në komunikim të vazhdueshëm me komunitetet, sipërmarrjen, të rinjtë, fermerët, me njërëzit e thjeshtë dhe të zakonshëm.
Në shtator duhet të vijojmë me konsultimet për buxhetet vendore.
Operacioni humanitar i ndihmës për familjet në nevojë gjatë izolimit, por edhe çdo ditë më pas, ishte shprehje e diferencës së madhe të solidaritetit social, me “7×7=42”-at që përqeshnin e shajnë gjithë ditën nga televizori dhe facebook-u”, deklaroi Balla.
Sipas Ballës, dobësia e thellë e kundërshtarit nuk duhet të vetëkënaqë anetaret e partise dhe nuk duhet te lënë pas dore për asnjë moment organizmin e strukturës së Partisë në çdo cep të territorit.
“Partia Socialiste mbetet e vetmja forcë politike ku shumica e shqiptarëve besojnë përgjegjësinë qeverisëse dhe aspiratën për integrim Europian.
Qasja jonë ka qenë dhe mbetet e qartë: ne duhet të vazhdojmë të qeverisim me besnikëri të madhe ndaj njerëzve të zakonshem të këtij vendi, të cilët janë aleatët tanë të vetëm”, theksoi Balla.


