“Ai vraponte pas topit, kishte qejf makinat dhe ishte i fiksuar pas stolive ushtarake”. Kështu ka rrëfyer sot në “Shqipëria Live”, xhaxhai i Arjan Salës, Naimi.
Ai ishte i ftuar në studio për të folur për jetën e Arjanit përtej punës. Ai humbi jetën pasi shpëtoi më shumë se 20 persona në zjarrin e qendrës tregtare. Naimi u shpreh se Arjani ishte i vetmi që punonte në shtëpinë e tij.
Madje shprehet se e ka rritur Arjanin, sepse prindërit e tij punonin dhe ishte shumë i afërt me të. “Historiku i babait të Arjanit ka qenë para kohës së demokracisë. Ka qenë në pozicione shtetërore që kishte të bënte me njerëzit e tjerë. E nuk besoj se vëllai im i ka hyrë në hak ndonjë personi”, tha ai.
Më pas Naimi tregon pasionet dhe se sa i dashur ishte nipi i tij. Ai shprehet se Arjanin e donin të gjithë.
“Kishte qejf futbollin, stolitë ushtarake, ishte i dhënë tej mase. Kishte shumë qejf t’i mblidhte. Edhe në punë kishte lidhje me pasionin për ushtrinë. Ka ndërruar disa kompani sigurimesh dhe kudo ku punonte, e respektonin të gjithë. Te qendra tregtare, kishte 5 vite që punonte. Drejtuesi i kompanisë thoshte kemi zënë rehat, se më parë kishte shumë probleme, por Arjani dinte t’i menaxhonte të gjitha”, rrëfeu xhaxhai i të ndjerit.
Naimi tregon gjithashtu edhe telefonatën e fundit me Arjanin. “Më tha xhaxha hajde, pse s’ke ardhur. Çdo fundjave e takonim me patjetër, shkonim te ‘Casa Italia’. I thashë frika nga pandemia, më tha po qe për të vdekur, nuk kemi çfarë të bëjmë, hajde. Por, nuk u bë…, zbulon me lot në sy”
Ai shton se sot, është krenar për nipin. “Kisha raport të veçantë me nipat, mundohem të jem shok me ta, doja të ndihesha si i ri me ta. Futesha me shokët e Arjanit, më prezantonte me mburrje. Unë sot, jam krenar për të”, përfundoi ai.



