“Unë lexoj, po ti? Po ai?”. Një fushatë për të nxitur leximin te të rinjtë, ka përfshirë këto ditë gjithë Shqipërinë dhe do të mbushë çdo ditë të muajit nëntor me takime, lexime, promovime, biseda me autorë, përkthyes, botues, redaktorë, mësues, nxënës e studentë, artistë, etj. Do të zhvillohen 200 aktivitete nëpër shkolla, biblioteka, librari, muze të diktaturës, ambiente publike.
Një fushatë që po promovohet fort nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe që po tërheq vë- mendjen e lexuesit potencial edhe me përfshirjen në të të artistëve dhe politikanëve. Me një libër të zemrës, kushdo mund të bëhet pjesë e aktiviteteve.
Për ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, leximi është një akt dashurie, që lidh një zinxhir, ku lexuesi është hallka më e rëndësishme. Dhe ka qenë vetë Kumbaro, që e ka hapur këtë zinxhir aktivitetesh, duke lexuar një fragment nga libri i Helena Kadaresë, “Koha e pamjaftueshme” ku “ironizon” dhe “çmitizon” shkrimtarin e madh për të nxjerrë njeriun e zakonshëm, Ismail Kadare.
Dhe kështu, duke i hapur udhë një sërë aktivitetesh që përqendrohen në disa shtylla kryesore, si krijimi i rrjetit të klubeve të leximit në mbarë vendin, sidomos në zonat periferike dhe të lëna në harresë, për rigjallërimin e jetës së librit dhe edukimin e brezit të ri përmes leximit, pikërisht aty ku mungojnë libraritë e bibliotekat; promovimin e veprës së Musine Kokalarit në 100- vjetorin e lindjes; dhurimin e veprave të autorëve më të mirë bashkëkohorë të tri viteve të fundit, kandidatë për çmimin e madh të letërsisë nga juria e Çmimeve Kombëtare në Ministrinë e Kulturës; promovimi i pesë fituesve të Fondit të Krijimtarisë Letrare, Saimir Muzhaka, Manjola Nasi, Eris Rusi, Elona Çuliqi, Belfiore Qose, të cilët do të zhvillojnë çdo të shtunë të muajit “Maratonën e leximeve” në Tiranë, Prishtinë dhe Korçë; orë leximi nëpër shkolla.
Janë bërë pjesë e takimeve poetë e shkrimtarë si, Parid Teferiçi, Agron Tufa, Virion Graçi, Manjola Brahja, etj. Janë përfshirë në fushatë Bashkitë e Shkodrës, Lezhës, Pukës, Elbasanit, Durrësit, Korçës, Beratit, Fierit, Devollit, Skraparit, Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Pogradecit, Përrenjasit, Librazhdit, Shijakut, Kukësit, Vorës, Roskovecit, Çorovodës, Mallakastrës, Dibrës, Cërrikut, Himarës, Bulqizës, Mirditës, Maliqit, Tepelenës.