Po të kërkosh thellë në Mitrovicë, kollaj e gjen një histori shqiptare plot dhimbje, por rrëfimi i këtyre dy vajzave jetime e kalon edhe më tej vuajtjen.
Dafina e Albina jetojnë pa një mbiemër që kur kanë lindur. Të dyja vajzat ecin nëpër rrugët e Prishtinës sot përdore. Motra nuk janë prej gjaku, por jeta i ka lidhur shumë më shumë se ç’mund të bënte gjaku. Historia e vajzave fillon në një kohë të largët, kur ato u braktisën nga prindërit e tyre në jetimoren e Mitrovicës.
Të dyja tregojnë me zë të dridhur sesi keqtrajtoheshin ngë mësues e mësuese serbe. Nuk flisnin dot gjuhën e nënës, një ndjesi që shumë kollaj i kujtonte faktin se ishin braktisur.
Dafina thotë se mësueset silleshin shumë ashpër, i rrihnin fëmijët shqiptarë. Albina shkon më tutje kur kujton se i linin pa ushqim dhe ato detyroheshin për të dalë rrugëve e për të lypur lëmoshë. Një rrëfim thellësisht i dhimbshëm është një memorje e hidhur e Albinës, kur ajo kujton sesi mësuesit serbë i lidhnin fëmijët dhe i rrihnin.
Dafina: Unë jam rrit si foshnje në jetimore, në Mitrovicë. Mësuesit ishin serbe. Mësueset janë sjellë shumë ashpër ndaj nesh.
Albina: Kam qëndru një vit në spital për skak të shëndetit e më pas më kanë vendosur në jetimore e Mitrovicës. Jeta nuk ka qenë e mirë. Keqtrajtime shumë. S’kemi pas të drejtë me fol shqip por vetëm serbisht. S’kemi pas çfarë me ngrënë, kemi dalë dhe kemi lypur.
Dafina: Një herë më kanë rrahur aq sa më kanë rënë të fikët, nuk e dija se ku kam qenë. Akoma e kujtoj dhe ai kujtim nuk harrohet asnjëherë.
Albina: Më së shumti nuk i harroj fëmijët që i kanë rrahur, jo vetëm mua por edhe fëmijët e tjerë. Kurrë nuk do ta harroj, kur fëmijët i lidhnin në krevat dhe i keqtrajtonin.
Tmerrit të jetimores në Mitrovicë i vjen fundi në vitin e largët 1994. Jetimorja mbyllet dhe pritej që fëmijët të dërgoheshin të gjithë në Beograd. Një familje shqiptare arriti t’i birësojë vajzat. Albina e Dafina kujtojnë me mall ditët e bukura dhe dhuratën që ato kishin marrë.
Albina: Problemi ishte se jetimorja u mbyll e fëmijët automatikisht fëmijët të çoheshin të gjithë në Beograd. Pasi i mbusha 7 vjeç e gjys, një familje nga Prishtina më mori me vete.
Dafina: Prindërit kanë ardhur dhe na kanë adoptuar. Ata na kanë mësuar se çdo me thënë nënë e babë, na kanë dhënë ngrohtësi e dashuri.
Albina: Dita e parë e shkollës ishte shumë e bukur, jam njohur me shoqëri dhe mu duk shumë interesante.
Por momentet e bukura jo përherë zgjasin dhe vajzat mësojnë në vegjëli se ato ishin të birësuara. Kjo ishte dhe një krisje e parë e ëndrrës që këto dy vajza meritonin të jetonin, pas gjithë dhimbjeve në jetimore.
Albina: Unë për vete kam menduar se i kemi patur prindër. Ka qenë fillimi shumë i mirë për mua. Jemi rritur derisa e kemi kuptuar që nuk jemi të tyre. Fjalët e njerëzve, jo s’jeni të tyret, jo ju kanë marrë… jam prekur shumë kur e kam marrë vesh që isha jetime dhe e adoptuar.
Sot Dafina e Albina vijojnë të kenë të njëjtën ëndërr, të dinë përse prindërit e tyre biologjikë i kanë braktisur. Një arsye, do të ishte mjaft.
Albina: Kam qejf me e njoh familjen që më ka sjellë në këtë botë. Do doja t’i pyesja se kush ka qenë arsyeja që më keni braktisur dhe kaq
Dafina: Dua të shoh nënën e babën… kam dasht çdo herë me e dit se kush janë dhe për të kuptu arsyen pse më kanë lënë, një arsye që e kam dash ta di për gjithë jetën time.
Albina: Kur shkoj tek mjeku më pyesin për të dhënat e prindërve… dhe unë i them që nuk i di. Ata çuditen kur i them kështu. Ndihem shumë keq, sikur me pat bo një krim… Më ka rastisur kur një klient aty pranë filloi me qesh kur unë thash që nuk i di të dhënat e prindërve. U ndjeva shumë keq.
LARGIMI NGA SHTËPIA PAS VDEKJES SË PRINDËRVE ADOPTUES
Vite më vonë, vajzat detyrohen të largohen sërish… edhe kësaj here jetime. Prindërit adoptues ndërrojnë jetë dhe vajzat janë endur që nga ajo kohë nga një shtëpi në tjetrën. Derisa një ditë, paratë dhe ndihma shuhen.
Dafina: Dy vjet i kemi bërë që s’jemi më në atë shtëpi. I kemi pas disa shoqe që na kanë ndihmu duke i treguar rastin tonë të vështirë. Edhe ata na kanë ndihmu, por pastaj u ndërprenë, sepse nuk kishin me ça me i pagu. Pastaj na dëbuan, na thanë ju s’keni me ça me i pagu paratë e na dëbuan.
Albina: Natën mendoj pse mund të na ndodhë kjo… normal që qaj, prej hallit e vështirësive.
Në rrugë por pavarësisht të gjithave, Albina e Dafina kanë të paktën njëra tjerën. Ato nuk e fshehin dashurinë e madhe që ndjejnë për njëra tjetrën.
Dafina: S’mund ta përshkruaj dashurinë që kam për të. Problemet tona i kemi ndarë, tamam si me kon motra biologjike.
Albina: As unë nuk kam fjalë pasi e dua shumë, e shpresoj që gjithë jetën të jemi bashkë. Ne s’kena qejf me u nda.
Një apel kanë motrat, që pavarësisht se nuk i lidh një gjak, shpresojnë që dashuria që kanë për njëra tjerën të ngrohë po aq zemrat e shqiptarëve.
“I kisha lut të gjithë shqiptarët, kudo që janë, kemi kaluar një jetë shumë të vështirë. Neve të paktën një dhomë na mjafton… asgjë nuk kërkojmë tjetër.”-thonë motrat.
Motrat luten gjithashtu për të gjithë, që asnjë nënë apo baba të mos braktisë fëmijët e tyre. Në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” Elvis Naçi u shpreh që me ndihmën e të gjithë shqiptarëve, do të jenë ata që do të bëhen motrat dhe vëllezërit që do t’i shtrijnë dorën vajzave.
Elvis Naçi: Të dyja janë bërë si motra biologjike nga i njëjti hall. Do parë dhe s;dua të paragjykoj se përse prindërit i çojnë fëmijët në jetimore… kur është vajzë është dhe dyfish më e rëndë pasi situata në trojet tona është më e vështirë. Këto dy motra kanë kaluar nga një shtëpi me qira në shtëpi pasi prindërit e tyre adoptues kanë ndërruar jetë. Ndoshta ne si në të gjitha rastet e tjera, do të mundohemi të kemi e të bëjmë rolin e nënës dhe babait të tyre.
Sidrit Bejleri: Më ngeli në mendje pyetja e tyre…. pse na braktisën. Në këtë moment secili nga ne e kupton dhe falënderon Zotin që na kanë rritur prindërit tanë. Do të thoja që është momenti që të mos i lëmë të braktisen për herë të dytë. Ti tregojmë që kanë ca motra e vëllezër që nuk do t’i lënë vetëm. Është rast shumë specifik sepse nuk e kemi hasur kurrë. Të dyja kanë njëra tjerën dhe askënd në botë.
Ola Bruko: Është dikush që po kujdeset për këto dy motra, por ajo është e përkohshme.
Por kush i ka ndihmuar vajzat deri më tani. Në ditën që Albina e Dafina dolën nga shtëpia me qira, një grua, nënë vetë, i doli në krah vajzave. Merita Elezi i njeh vajzat prej 12 vjetësh dhe vendosi që të hapë dyert e shtëpisë për dy të rejat.
Merita Lezi: I njoh prej 12 vitesh. I kemi ndihmuar sa kemi patur mundësi. Prej dy vitesh Dafina dhe Albina kanë dalë prej shtëpisë. Këto ditë pronari i banesës i është lutur që të dalin pasi nuk mund ta jepte banesën falas. Në pajtim dhe në diskutim me tim shoq, vendosëm që t’i marrim në shtëpinë tonë. Banesa ime nuk mund t’i strehojë për kohë të gjatë, por për ti dhënë një zgjidhje… por e kam paramendu sikur fëmija im të ishte në rrugë. Të dy vajzat janë braktisur prej familjeve të veta dhe edhe sot janë braktisur. Të paktën ne si shoqëri të mos i braktisim sërish.
Shqiptarët për Shqiptarët i bënë thirrje të gjithë atyre që e ndjejnë në zemër të ndihmojnë këto dy vajza jetime, që kanë provuar të gjithë jetën e tyre dhunën, e mungesën e dashurisë së nënës e babait.
Elvis Naçi Besoj se do të blemë një shtëpi për to. Besoj se të gjithë bashkë ne shqiptarët do të mund ta arrijmë. Kush jep diçka, Zoti do t’ja çojë shumëfish.
Ola Bruko: Presim të kemi vëmendjen e shqiptarëve që kërkojnë të ndihmohen nga të gjithë ne./Express










