Nuk kanë kaluar ende 10 ditë nga përmbytja e madhe që përfshirë gjithë vendin, dhe uji sërish ka pushtuar tokat.
Si pasojë e reshjeve të shumta të rëna gjatë natës dhe paradites së sotme janë rikthyer përmbytjet, sidomos në zonën e Laçit që thuhet të jetë më e prekura. Siç njoftohet nga banorët, prroi ka dalë nga shtrati i tij dhe uji ka përmbytur të gjitha rrugët e qytetit.
Në një video të një prej banorëve që ka rregjistruar shihen qartë disa momente nga dalja e përrenjëve nga shtrati. Në një video ekskluzive për AlpeNews.al, mund të shihni si paraqitet gjendja.
Kjo më pas ka shkaktuar edhe përmbytjen e disa rrugëve në brendësi të qytetit, por edhe një fushë të gjelbërt. Uji është shpërndarë furishëm gjithandej. Për pasojë janë shkaktuar dhe dëmet e para. Pritet që reshjet të vazhdojnë gjatë ditës së sotme dhe nesër, por me intensitet më të ulët.
Reshjet e dendura të shiut kanë krijuar probleme në qytetin e Lezhës dhe në atë të Shëngjinit mesditën e sotme. Rrugët e disa lagjeve janë përmbytur nga uji. Në Lezhë Ka prezencë uji në lagjen “11 Janari” dhe 11.2 ha tokë në lagjen “Besëlidhja”. Është vështirësuar lëvizja e qytetarëve dhe e mjeteve.
Reshjet të cilat filluan ditën e djeshme, nuk kanë lënë pa prekur edhe Tiranën, më saktë zonën e Laprakës. Raportohet se uji ka mbuluar rrugën. Këtë e shohim në një video të ardhur për AlpeNews.al nga një qytetar i cili po kalonte atje në këto momente. Lapraka pati bllokim të rrugëve dhe nga përmbytjet që ndodhën këtë fillim dhjetori dhe jo vetëm, pasi njihet për akse problematike në raste përmbytjesh.
Megjithatë, aktualisht nuk ka reshje, dhe mësohet se lëvizja po vazhdon normalisht.
Në qarkun e Kukësit duke përfshirë edhe Tropojën, kanë nisur reshjet me intensitet të lartë shiu. Rrezikohen fshatrat Arrën, Kalis, Bushtricë, Çaje dhe Kolsh. Në këto zona raportohet nga banorët për rrëshqitje dherash dhe kështu bllokohet rruga dhe nuk mund të kalojnë nëse kanë ndonjë emergjencë.
Sipas Instituteve Meteorologjike në Evropë, reshjet e dendura të shiut do të përshkojnë pjesën veriore, ndërsa do të zbresin deri në Peqin, duke përfshirë edhe kryeqytetin.
Durrësi dhe Vlora janë përfshirë nga moti i keq mëngjesin e djeshëm. Era e fortë ka sjellë pezullimin e lundrimit deri të dielën, pra sot. Në Vlorë tragetet janë me vonesë, ndërsa në Durrës kanë mbërritur në orar.
Era e fortë që ka përfshirë Gjirin e Durrësit ka mbajtur mbërthyer në kalatat e portit detar të gjitha anijet e tonazhit të vogël e të mesëm. Edhe anijet e peshkimit kanë pezulluar lundrimet dhe gjuetinë në det deri të dielën, kur era, që aktualisht regjistron shpejtësinë mbi 20 metra/sek në port, pritet të ndryshojë drejtim e të kthehet drejt veriut.
Moti i keq ka përfshirë edhe qytetin e Vlorës. Që prej mbrëmjes së djeshme dhe në orët e paradites erërat e fuqishme kanë bërë që transporti detar të pezullojë lundrimin. Trageti i linjës Vlorë-Brindizi, i cili duhet të kishte mbërritur gjatë orëve të paradites në Portin e Vlorës për shkak të erës së fortë që kishte një shpejtësi prej 15-20 m/sek, nuk ka mbërritur, ndërkohë që deti shënon forcën 7 ballë.
Përgatiti: AlpeNews.al






