Reshjet e dendura të shiut të shoqëruara me erë të fortë kanë shkaktuar problematika në disa zona të qarkut të Korçës veçanërisht në bashkinë e Maliqit.
Sipas raportimeve të Prefekturës, era ka rrëzuar pemë ndërsa njëra prej tyre ka rënë mbi një automjet.
Punonjësit e shërbimeve janë në terren dhe po punojnë për heqjen e pemës nga automjeti, si edhe për pastrimin e rrugës.
Reshje breshëri janë raportuar edhe në një fshat të bashkisë Kolonjë, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën për evidentimin e dëmeve të mundshme.
Njoftimi i prefekturës:
Si pasojë e reshjeve të shiut, të shoqëruara me erë të fortë dhe në disa zona me breshër, në territorin e Qarkut Korçë janë raportuar këto situata:
Bashkia Maliq
Si pasojë e reshjeve intensive dhe erës së fortë, janë rrëzuar pemë mbi automjete në fshatin Rëmbec dhe në qytetin e Maliqit. Forcat e Stacionit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit ndërhynë menjëherë, duke neutralizuar situatat. Sipas informacionit paraprak, në fshatin Orman janë regjistruar reshje breshëri, por deri në këto momente nuk janë raportuar dëme në kulturat bujqësore.
Bashkia Kolonjë
Në fshatin Kamnik, Njësia Administrative Barmash, reshjet janë shoqëruar me breshër. Nga komunikimi me strukturat vendore nuk janë raportuar dëme apo problematika.
Bashkia Devoll
Si pasojë e reshjeve intensive, të shoqëruara me erë të fortë, një pemë (plep) u rrëzua në aksin rrugor drejt fshatit Progër, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin. Forcat e Stacionit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit ndërhynë menjëherë, larguan pengesën dhe rikthyen qarkullimin normal.
Bashkia Pogradec
Deri në këto momente nuk janë raportuar dëme apo problematika si pasojë e kushteve atmosferike.
Bashkia Pustec
Raportohet ndërprerje e energjisë elektrike në katër fshatra. Punonjësit e OSHEE-së ndodhen në terren dhe po punojnë për riparimin e defektit. Probleme të tjera nuk raportohen.
Bashkia Korçë
Deri në këtë moment nuk është raportuar asnjë problematikë apo situatë emergjente. Situata paraqitet e qetë dhe vijon të monitorohet.
Strukturat e Emergjencave Civile dhe shërbimet operacionale në të gjithë territorin e Qarkut Korçë vijojnë monitorimin e situatës dhe mbeten në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo rast nevoje.


