Bashkia e Vlorës ka apeluar për kujdes të shtuar gjatë së premtes, pasi sipas parashikimeve meteorologjike territori i bashkisë mund të përfshihet nga reshje intensive, stuhi lokale dhe erë e fortë. Në njoftim të shpërndarë pasditen e sotme, Bashkia u kërkon qytetarëve dhe vizitorëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të mos qëndrojnë pranë pemëve apo strukturave të pasigurta, si edhe të tregojnë kujdes maksimal në plazhe dhe në det. Bashkia bën thirrje gjithashtu të mos ndizen zjarre në ambiente të hapura, pyje, kullota apo pranë bimësisë së thatë, ndërsa qytetarët ftohen të njoftojnë shërbimet e emergjencës për çdo situatë që mund të paraqesë rrezik.


