Këshilli Bashkiak i bashkisë së Elbasanit miratoi buxhetin e vitit 2019 në një mbledhje e cila u karakterizua nga diskutime me në fokus zhvillimin eqytetit dhe investimet në dobi të qytetarëve. Buxheti i Bashkisë së Elbasanit u miratua me shumicë votash nga Këshilli Bashkiak.
Votave të 16 këshilltarëve të PS iu bashkuan edhe ato të këshilltarëve të partive të tjera, si nga LSI, PDIU e FRD, ndërsa katër këshilltarë të PD që ishin në mbledhje u shprehën kundër projektbuxhetit 2019.
Kryetari i Bashkisë Qazim Sejdini prezantoi para këshilltarëve buxhetin e vitit 2019, si i 12-i buxhet nën drejtimin e tij.
Që në nisje të fjalës së tij Z. Sejdini theksoi se, buxhetet nuk janë të lehtë, e sidomos sfidat që dalin përpara bashkive pas reformës territoriale.
“Bashkia e Elbasanit ka kaluar me sukses një sfidë të madhe, sfidën e hartimit të një buxheti efektiv, të qëndrueshëm nga viti në vit, një buxheti pa deficit, një buxhet ku përqindja më e madhe shkon tek investimet e shërbimet publike.
Për vitin 2019 Bashkia e Elbasanit ka parashikuar një draft buxhet prej 2.7 miliardë lekësh, i cili nëse përpjesëtohet me numrin e banorëve në Bashkinë Elbasan, çdo banor do të marrë shërbime dhe produkte bashkiake në vlerë rreth 15 mijë lekë të reja, ndërkohë që paguan vetëm 2400 lekë të reja në vit, pra bashkia subvencionin nga bashkia në masën 80%”, tha Sejdini.


