Nuk është rastësi pjesëmarrja e fabrikës shqiptare të prodhimit të mobilieve, “FPM Tutto Mobili” në panairin e mobilieve në Kinë, të zhvilluar së fundi. Është rezultat i një pune të gjatë, që nisi nga mbyllja e ciklit të prodhimit, përmes një modeli unik të 7 minifabrikave që funksionojnë më vete, te diversifikimi në tregjet europiane dhe tashmë në ato globale.
Me të ardhura prej rreth 10 milionë eurosh në vit, “FPM Tutto Mobili”, është sot prodhuesi më i madh i mobilieve në vend, me destinacion pothuajse tërësor eksportin. Planet janë që brenda pak vitesh volumi i eksporteve të dyfishohet, në përgjigje të kërkesës së lartë të tregjeve të huaja, jo vetëm nga Europa, por nga e gjithë bota.
Ilir Linza, Administrator i Përgjithshëm i kompanisë “FPM Tutto Mobili”, thotë se avantazhi kryesor i tyre është fakti që kanë 7 mini fabrika, ku secila kryen një funksion të posaçëm. “Është krijuar industria brenda vetes, prodhohet nga A te ZH”, thotë ai, një model unik, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, duke e bërë konkurrues atë në nivelet europiane.
Lënda e parë merret nga importi, ndërsa procesi i prodhimit realizohet tërësisht në Shqipëri, duke i shtuar vlerë produktit. Për modelet e mobilieve dhe aksesorëve, ka arkitektë dhe një zyrë teknike.
Të gjitha proceset janë të automatizuara dhe punonjësit janë të pakët në ambientet e mëdha të fabrikës në krah të autostradës Tiranë- Durrës. Pasqyrat, me korniza të bardha me zbukurime janë gati për t’u nisur drejt Rumanisë, i cili është dhe tregu kryesor i eksportit. Z. Linza pohon se në krijimin e modeleve, ata u përshtaten shijeve e preferencave të konsumatorëve rumunë.
Krahas Rumanisë, tregje të tjera janë Bullgaria, Italia dhe së fundmi Gjermania, Hungaria, Holanda, Belgjika. Dy ekspertë gjermanë ndodhen në ambientet e fabrikës dhe po testojnë montimin e mobilieve. Z. Linza thotë se ata janë përfaqësues të dy kompanive gjermane (Skonto dhe Trent In), ndërsa porositë janë bërë tashmë.
Planet e kompanisë shkojnë përtej Europës dhe ky ishte qëllimi i pjesëmarrjes në Panairin e Mobilieve në Kinë, së bashku me fabrikën tjetër FPD, që prodhon dyshekë e divane dhe “Best Seller”, të krijuar së fundmi për tregtimin me pakicë. “Ishim në Panairin e Kinës për të zgjeruar tregjet. Kemi klientë nga Dubai, Kanadaja”, thotë z. Linza.
Avantazhi kryesor, krahas modelit të prodhimit, lidhet me kostot, që mundësohet nga krahu i lirë i punës. Paga minimale, megjithatë është më e lartë sesa në sektorin e fasonit dhe ajo luhatet në rreth 40 mijë lekë, duke garantuar dhe punonjës të qëndrueshëm. “Për produktet që tregtojmë në Rumani, çmimet janë minimumi 20% më lirë se nga Italia që është konkurrenti kryesor”.
“Ky është biznes i ndërlikuar”, thotë z. Linza. “Duhet të përkojë modeli, koha, kosto dhe cilësia. Duhet të mbash ritmin e teknologjisë, të minimizosh koston, të blesh lirë lëndën e parë”, pohon ai.
Nuhatja e ka shtyrë atë që të orientohet gjithnjë nga vjen kërkesa. Nga viti 2001 deri në 2008, FPM shiste 90% të prodhimit në tregun e brendshëm dhe vetëm 10% ishte për tregun e huaj. Pas vitit 2008, vëmendja u përqendrua tek eksporti, që siguron sot 95% të tregut. “Eksporti të jep mundësinë që të rritesh”, thotë Linza. “Kërkesa në treg është e lartë, e gjen nëse je konkurrent me çmime”.
Së fundmi është rritur vëmendja edhe për tregun e brendshëm. “Kemi bërë revolucion në tregun e pakicës. Vjet menduam të hynim sërish në tregun shqiptar dhe u krijua Best Seller. Shitjet këtë vit në Shqipëri arritën deri tani 1 mln euro”. Tre kompanitë e grupit, FPM, FPD dhe Best Seller kanë sot në total 270 punonjës (nga të cilët 100 janë të punësuar te FPD).
Hyrja sërish në tregun e brendshëm dhe shtimi i kërkesës nga partnerët e huaj ka çuar në vendimin e zgjerimit, teksa synohet dyfishimi i kapacitetit. Projekti për zgjerim ka filluar. Është marrë leja e ndërtimit për ngritjen e një reparti prej 7 mijë metrash katrorë në Durrës, për dy linja montimi për dhomat e gjumit dhe kuzhinës.
Vlera e investimit është 2 milionë euro, gjysma e të cilit është siguruar nga bankat dhe pjesa tjetër nga burimet e kompanisë. Ky investim, që e çon një hap përpara teknologjinë, që ka qenë gjithnjë një pikë e fortë, do të hapë edhe 50 vende të tjera pune.
“Shqipëria ka pasur traditë në prodhimin e mobilieve për design dhe cilësi. Karriget që përdoreshin dikur sot janë luks në Itali”, thotë Linza, duke shtuar se kjo është industri e lehtë, nuk është metalurgjik dhe duhet ta ketë çdo shtet i botës.
Shteti si pengesë, shtohen vonesat në rimbursimin e TVSH
Bizneset sot ecin me ritme më të shpejta sesa burokracia e shtetit. Dhe gjëra më minimalë që kërkojnë është që shteti të mos u vërë shkopinj në rrota. Gjë që po ndodh fatkeqësisht, teksa institucionet shtetërore po bëhen pengesë për menaxhimin e aktivitetit të përditshëm.
“Kemi probleme me shtetin, nuk marrim në kohë TVSH-në. Nuk respektohen afatet ligjore, kompensimi monetar nuk bëhet. Që prej janarit nuk kemi marrë kompensim.
Ka ndodhur që për shkak të vonesave të jenë rrezikuar edhe pagat, ndërsa ne kemi pasur humbje nga konvertimi pasi jemi detyruar të përdorim fonde të tjera për pagat e punonjësve”, thotë financierja e kompanisë. Energjia elektrike është një problem tjetër. Për shkak të luhatjeve dhe ndërprerjeve dëmtohen makineritë. Z. Linza pohon se shpenzojnë 40-50 mijë euro në vit si riparime nga ndërhyrjet në dëmtimet e shkaktuara nga energjia.