Një nga mitet e rreme urbane që lidhen me situatën politike në të cilën e ka futur veten opozita jonë jashtparlamentare, është ajo që Kryetari i PD Lulzim Basha deklaroi dje në Kurbin: “Do të jenë shqiptarët ata që do të vendosin për sistemin e ardhshëm Kushtetues dhe Parlamentar” të vendit.
PREMTIMI i Bashës: “Ju do të vendosni nëse doni 100 deputetë të zgjedhur drejtpërdrejtë në zona maxhoritare, apo listë kombëtare proporcionale, me votim të hapur, me lista të hapura, me dy dhoma parlamentare, me një senat. Ju do të vendosni që këtu, në këtë vend, si kudo në Europë, zëri më i lartë të jetë zëri i sovranit; me referendum popullore kombëtar,”… etj.
REALITETI: Neni 64 i Kushtetutës së Shqipërisë (Ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.04.2008) thotë:
1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore.
2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo¬territorial.
3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.
NDRYSHIMI I SISTEMIT siç shihet, kërkon:
a.- Ndryshimin e Kushtetutës.
b. Ndryshimin e Ligjit Elektoral.
c. Ndryshimin e ligjit për ndarjen territoriale të vendit.
HIPOKRIZIA: Këto 3 reforma janë bojkotuar nga Partia Demokratike.
1.- U bojkotua referendumi popullor i vitit 1998 për Kushtetutën. PD tha se nuk e njeh atë dhe se kur të rikthehej në pushtet, do ta ndryshonte. PD u rikthye në pushtet, por Kushtetuta nuk u ndryshua.
2. PD e bojkotoi sistematikisht Komisionin për Reformën Zgjedhore në Parlament nga 2017 deri 2019.
3. PD e bojkotoi reformën për ndarjen e re administrative- territoriale të vendit.
PSE PD E LA LETRËN TË BARDHË?
Gjatë punës në komisionin e Reformës zgjedhore në Parlament, drejtuesit e PS i vendosë PD dhe aleatëve fletën e bardhë mbi tryezë që të shkruanin çdo kërkesë që donin për ta adresuar në Kod. Por PD nuk shkroi asnjë fjalë mbi të e jo më të artikulonte se kërkonte ndryshimin e sistemit elektoral.
PSE BASHA NUK E DO NDRYSHIMIN?
Lulzim Basha është njeriu më i interesuar në Shqipëri për të mos e ndryshuar sistemin zgjedhor. Sepse vetëm ky sistem i garanton atij si Kryetar i PD kontrollin mbi listat e deputetëve dhe për rrjedhojë edhe kontrollin mbi Grupin Parlamentar dhe mbi të gjitha strukturat e tjera të partisë. Nëse Basha e ndryshon këtë sistem, atëherë ai nuk garanton dot në radhë të pare pozitën e vet në krye të PD. Kaq e thjeshtë.
/AlpeNews.al


