Kombet e Bashkuara kanë regjistruar më shumë se 21 000 raste dhune kundër fëmijëve gjatë konflikteve të armatosura vitin e kaluar, sipas një raporti të publikuar sot nga shefi i OKB-së.
Ky raport përfshin gjithashtu më shumë se 10 000 fëmijë që janë gjymtuar ose vrarë gjatë luftimeve.
OKB-ja ka verifikuar edhe rastet e dhunës seksuale, sulmet kundër shkollave dhe spitaleve, si dhe rastet e fëmijëve që janë rekrutuar si ushtarë.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u shpreh në një deklaratë se “është i tronditur nga këto të dhëna që janë në rritje të ndjeshme në raport me vititn 2016”.
Të paktën 6 000 shkelje janë kryer nga forca qeveritare dhe më shumë se 15 000 nga grupe të armatosura jo shtetërore, sipas këtij raporti vjetor mbi fëmijët dhe konfliktet e armatosura.
Trupat ushtarake qeveritare të Mianmarit, Sirisë dhe Jemenit ishin në krye të aktorëve shtetërore që kishin kryer këto raste dhune kundër fëmijëve sipas këtij raporti.


