Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi thotë se do të hyjë në zgjedhjet parlamentare të 2021, pavarësisht ndryshimeve të njëanshme që mazhoranca i bëri sot Kodit Zgjedhor.
Kryemadhi madje te veprimet “të njëanshme të Ramës” sheh produkt pozitiv për LSI-në, duke thënë se do t’i dyfishojë mandatet.
Në një intervistë me gazetaren Ilva Tare në “Euroneës Albania”, Kryemadhi tha se Rama shpresonte të dëgjonte sot në nervozizëm e sipër, ndonjë deklaratë nga opozita për mos-pjesëmarrjen në zgjedhje.
“Veprimet e njëanshme të sotme të Edi Ramës, minimumi do të dyfishojnë rezultatet e LSI-së. Unë sot them me 40 mandate. Edi Rama mendonte se do të kishim ndonjë deklaratë në nervozizëm e sipër që nuk do të hyjmë në zgjedhje, do hyjmë në zgjedhje me kënaqësinë më të madhe. Rezultati i LSI-së do të jetë një rezultat që nuk e ka patur asnjëherë në jetën e saj”, deklaroi Kryemadhi.


