Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Muhammed Bin Zayed ka zhvilluar të mërkurën një vizitë zyrtare në Tiranë, ku është takuar me kryeministrin Edi Rama. Në fokus të diskutimeve kanë qenë forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme si edhe një sërë çështjesh rajonale e ndërkombëtare.
Kreu i qeverisë ka ndarë sot disa pamje nga pritja në Aeroportin e Rinasit, teksa e cilëson si mik të vjetër dhe të shtrenjtë të popullit shqiptar.
“Mirëmëngjes dhe me mbërritjen mbrëmë në Shqipëri të një miku të vjetër e të shtrenjtë të popullit shqiptar, këtej e andej bjeshkëve, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar kryeministri Rama krahas fotove nga pritja e presidentit të Emirateve, ku të pranishëm ishin edhe ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Kryeministri i shoqëron pamjet edhe me disa vargje të Fan Nolit.
“Flamur që lind Shën Konstandinin,
Pajton Islamn’ e Krishterimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.”
Në një reagim në rrjete sociale, presidenti i Emirateve ka bërë me dije se kanë diskutuar për një sërë çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare si dhe për zgjerimin e partneritetit mes dy vendeve.
“Pata kënaqësinë të takohesha me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama në Tiranë për të diskutuar mënyrat për të përforcuar më tej partneritetin në zgjerim të vendeve tona. Gjithashtu shkëmbyem pikëpamje mbi një numër çështjesh rajonale dhe ndërkombëtare dhe riafirmuam angazhimin tonë të përbashkët për të mbështetur përpjekjet për të çuar përpara paqen dhe stabilitetin në dobi të të gjithëve.”, ka shkruar ai.
Në fokus të takimit të tyre kanë qenë diskutimet për rritjen e bashkëpunimit në sektorë të tillë si energjia e rinovueshme dhe teknologjia, ekonomia, tregtia apo siguria ushqimore. Ata shqyrtuan gjithashtu rritjen e lidhjeve midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare me interes të ndërsjellë.
Të dy udhëheqësit theksuan rëndësinë e dialogut dhe diplomacisë në zgjidhjen e konflikteve globale dhe nevojën për një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar për të promovuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë.


