Presidenti Ilir Meta ka rrëzuar pretendimin e opozitas se ish-kreu i SHISH ishte detyruar të dorëhiqej për shkak të presioneve.
Meta shfajësoi Edi Ramën nga akuzat e shumta ku theksoi se shefi i qeverisë nuk i ka kërkuar asgjë të tillë.
Në një intervistë për Çim Pekën, presidenti tha se pati një takim me Visho Ajazin, të cilin mund ta vazhdonte detyrën në SHISH.
“Më konkretish mund t’ju them se një javë më parë e sigurova z.Ajazi që ai do të kishte përkrahjen time të plotë si President i Republikës për të vazhduar detyrën e tij në luftën kundër krimit të organizuar dhe natyrshëm në përmbushje të detyrave të tjera. Ai më ka falenderuar për besimin. Kjo ishte thjesht për të konfirmuar vazhdimësinë duke pasur në konsideratë edhe komentet e ndryshme mediatike. E kam siguruar se kur të kisha mundësi do e bëja publik qëndrimin tim, jo thjesht për z.Ajazi por për Shërbimin Informativ në terren” u shpreh Meta.
I pyetur nëse do ta firmoste shkarkimin e Visho Ajazit, Meta tha se Rama nuk ia kishte kërkuar diçka të tillë. I vetmi kontakt me kryeministrin ishte kur ky i kishte vënë në tryezë dorëheqjen e Visho Ajazit.
Lulzim Basha deklaroi dje se nuk kishte informacione për shkarkimin e Visho Ajazi Likës, por sipas gjykimit të tij duhet që t’i jetë bërë presion.
“Një Shërbim Informativ i cili harton raporte për përfshirjen e Policisë në kultivimin dhe trafikimin e drogës, siç ka bërë SHISH prej dy vitesh, është halë në sytë e narko-shtetit dhe të Edi Ramës.Ndaj nuk mund të ketë konkluzion tjetër përveçse presionit politik” tha Basha.