Deputeti i Partisë Socialiste, njëherazi kryetar i Komisionit të Kuvendit për Ekonominë, Erjon Braçe u shpreh sot se rikthimi për rishqyrimin i ligjit për buxhetit 2019, nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, pas protestës dhe kërkesave të studentëve për arsimin e lartë, reflekton qëllime të pastra partiake duke e lidhur këtë me LSI-në.
Braçe tha se, ligji u dërgua vetëm dje në Presidencë, ndërkohë që Meta ndodhet jashtë vendit dhe sot u shpreh duke e rikthyer.
“Kam një pyetje, pasi Presidenti nuk është në Shqipëri, si e ka shqyrtuar? Kjo një pyetje akoma më e madhe se firma. Ligji është dorëzuar dje, ai nuk ka qenë në zyrë. Si e mori informimin për buxhetin e Arsimit të Lartë? Nuk ka. Vendimi reflekton qëllime të pastra partiake. Nuk e kam hallin fare te firma apo dekretimi në mungesë. E kam hallin në mungesë totale të shqyrtimit, nëse gjërat dekretohen pa u shqyrtuar, kjo është fatkeqësi e madhe për këtë vend. Nëse Presidenti do të kishte njohur me detaje buxhetin nuk do ta kishte kthyer, sikur pretendon LSI, ish-partia e Presidentit. Edhe prej andej më vjen mosnjohja e akteve të buxhetit”, – tha ai.


