Presidenti i vendit Ilir Meta i ftuar në emisionin “Studio e Hapur” në News 24 ka folur rreth plotfuqishmërisë për çështjen e negociatave për Detin mes dy vendeve Shqipërisë dhe Greqisë.
Meta theksoi se do të përmbushet detyra e Presidentit si nga ana institucionale dhe nga ana kushtetuese.
A do japë Presidenti Plotfuqishmërinë e tij për negociatat?
Kjo çështje ka marrë shumë vëmendje. Presidenti duhet të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet e tij kushtetuese dhe institucionale për mbarëvajtjen e kësaj marrëveshje që synohet dhe të marrëdhënieve me Greqinë.
A është e vërtetë që e keni kthyer procesin sërish në Ministrinë e Jashtme për më shumë informacion?
Nuk ka patur në asnjë rast kthim apo refuzim për dhënie autorizim të tillë, por ka patur deri në pikën e plotë dhe përfundimtare sipas të gjitha standardeve që përcakton vendimi i Gjykatës Kushtetuese, një procedure e cila duhet të jetë sa më e saktë. Edhe për një arsye tjetër, është se çështja më e debatuar në ditët e fundit për shkak të asaj që ndodhi në vitin 2009 dhe vendimin e Kushtetueses në 2010 që e rrëzoi atë marrëveshje. Për këtë çështje, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, është vetë Kushtetuta, prevalon mbi çdo ligj dhe akt tjetër. Do të mjaftonte një mosrespektim i dokumenteve kushtetuese, në mënyrë që nesër, një grupim të bëjë të njëjtën gjë, të ankohet në Gjykatën Kushtetuese, për ta shpallur marrëveshjen e re antikushtetuese.
Pra keni kërkuar informacione të tjera përveç informacioneve të para?
Po, kemi kërkuar informacione. Jo vetëm që është detyra ime të respekton kushtetutën, dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por se dyti duhet të kemi parasysh se edhe një element formal i kësaj gjykate që është vetëm për marrëveshjen me Greqinë, do të mjaftonte që edhe sikur të ishte një përmbajtje shumë e mirë, me kërkesën e një grupimi në Kushtetuese, kjo marrëveshje e re do të kërkohej të rrëzohej. Është me rëndësi që të ecet vetëm në shina kushtetuese, pasi vetëm një proces që përmbyllet me sukses i intereson të dy vendeve.


