Presidenti Meta i ka dhënë përgjigje interesit të medias për debatin e madh për kryeprokurorin, duke ftuar palët në një dialog të shpejtë e të përgjegjshëm dhe duke theksuar se cdo hap i njëanshëm sjell pasoja.
“Është përgjegjësi ekskluzive e Kuvendit të Shqipërisë. Duhet të respektohet Kushtetuta dhe fryma e saj. Kjo është e rëndësishme që të ketë mes aktorëve kryesorë një dialog të shpejtë, të përgjegjshëm dhe të bazuar në standarde transparente për zgjidhjen e kësaj çështje pasi çdo hap i njëanshëm s’do i ndihmonte konsolidimit të pavarësisë dhe rritjes së besimit te institucionet e drejtësisë”, u shpreh Meta.
Deklaratat e tij, Presidenti Meta i bëri gjatë takimit në Tiranë me homologun e tij malazez, Philip Vujanoviç. Më herët, kryeministri i vendit, Edi Rama deklaroi gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist se i lutej Lulzim Bashës që të reflektonte dhe të pranonte një zgjidhje të përbashkët për kryeprokurorin e ri, duke i përsëritur ftesën për dialog. Rama përmendi marrëveshjen që futi opozitën në zgjedhjet e 25 qershorit, ndërsa paralajmëroi se në rast refuzimi nga pakica parlamentare, maxhoranca do ta zgjedhë e vetme Kryeprkurorin.


