Bashkimi Evropian tha të enjten se qeveria e Kosovës duhet të hedhë hapa shtesë për uljen e tensioneve në komunat veriore të banuara me shumicë serbe dhe se blloku është i gatshëm të vendosë masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë nëse ajo nuk ndërmerr veprime në këtë drejtim.
Duke komentuar letrën që dhjetëra ligjvënës euro-perëndimorë u dërguan zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë, zëdhënësi i bllokut Peter Stano, tha se politikën e jashtme të Bashkimit Evropian e përcaktojnë vendet anëtare të tij.
“E tëra që mund të them sa i takon kësaj çështjeje të ngritur nga 56 nënshkrues, parlamentarë nga disa vende anëtare dhe disa vende të treta, është se politikat e Bashkimit Evropian vendosen njëzëri nga 27 vendet anëtare, siç është e përcaktuar dhe siç kërkohet nga vet qeveritë e tyre. Kemi mijëra e mijëra parlamentarë në Bashkimin Evropian kështu që pozicioni dhe veprimet e Bashkimit Evropian rreth politikës së jashtme përcaktohen unanimisht nga vendimet e 27 qeverive”, tha zoti Stano.
Letra e nënshkruar nga dhjetë kryetarë të komisioneve për marrëdhënie me jashtë dhe 56 deputetë kërkon diplomaci parandaluese, baraspeshë dhe mospërsëritje të gabimeve të së kaluarës, ndërsa thekson mungesën e trysnisë ndaj Serbisë pas tensioneve në veri të Kosovës.


