Pa program, me disa humbje në kurriz të tij dhe me shumë demokratë të zhgënjyer kundrejt vendimeve të marra në krye të PD, Lulzim Basha vijon të këmbëngul para demokratëve se ai është i duhuri për drejtimin e PD dhe se partinë po tentojnë ta përçajnë me diversionet që po bëhen nga kundërshtari. Për Lulzim Bashën të gjitha arritjet e mëdha të vendit kanë vulën e tij, të PD-së dhe të Sali Berishës dhe se beteja e vërtetë është me kundërshtarin dhe armikun e madh të demokracisë regjimin Rama-Doshi.
“Të gjitha arritjet e mëdha të këtij vendi kanë vulën tonë, kanë vulën tuaj, gjithçka, që nga rrëzimi i komunizmit dhe demokracia, që nga futja në Këshillin e Europës, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave, statusi kandidat, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturorë kanë vulën e demokratëve, kanë vulën e Partisë Demokratike, kanë padiskutim vulën me nënshkrim e Sali Berishës. Ndaj, le ta zhvillojmë këtë proces statutorë që na e diktojnë rregullat e brendshme duke e konsideruar një vlerë të shtuar dhe një oportunitet, një mundësi, por po kështu të mos harrojmë se beteja e vërtet është me kundërshtarin, me armikun më të egër të demokracisë dhe të shqiptarëve, me regjimin e Edi Ramës, Tom Doshit dhe kriminelëve me të cilët ka ndaluar përkohësisht aspiratën e Tropojës dhe të Shipërisë për ndryshim”, tha Basha.
Basha u shpreh se dorëzimi përballë atyre që e konsiderojnë 25 prillin fitore të Ramës dhe jo masakër zgjedhore, mund të çojë në një përçarje. Basha kërkoi mbështetjen e demokratëve duke thënë që me votimin e tij do të vendosim PD mbi vetën e tyre dhe nuk do japin shans kundërshtarit të bëjë diversionet që ka nisur me kërkesat për bashkëpunim pa vija të kuqe.
“Vëllezër dhe motra, ne ndodhemi në një krizë politike e cila vetëm u thellua nga 25 prilli. Këtë e dimë të gjithë ne, e di dhe kundërshtari politik të cilit nuk i qesh buza sepse e di çfarë ka bërë, e ndaj është vërsulur me dy mënyra për të zbut krimin që ka kryer jo thjesht ndaj Partisë Demokratike, ndaj demokratëve por dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe ndaj demokracisë. Mënyra e parë dhe e preferuar e tij, është ajo e diversionit. Diversioni kësaj radhe ka marrë formën e shtrirjes së dorës për bashkëpunim pa vija të kuqe. Përgjigjja është e qartë: të bashkëpunosh me autorin e masakrës zgjedhore, do të thotë të bëhesh bashkëautor i masakrës zgjedhore. Të bashkëpunosh pa vija të kuqe me njeriun që tjetërsoi vullnetin e shqiptarëve, që e ndaloi përkohësisht dhe dhunshëm shpresën e tyre për ndryshim, që futi demokracinë dhe vendin, siç e thash në një “arest kardiak”, do të thotë të bëhesh bashkëfajtor. Ndaj, përgjigjja ime ka qenë prej momentit të parë dhe mbetet e qartë: kryetari i Partisë Demokratike në detyrë dhe kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, nuk e njeh rezultatin e tjetërsuar më 25 prill. Pa këtë nuk ka themel mbi të cilin mund të ndërtojmë aksion politik në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve, por vetëm aksion që do të na çojë drejt humnerës, drejt zvogëlimit, drejt zhdukjes. Ka një dhe vetëm një rrugë përpara, që kjo është rruga e betejës me të keqen. Kështu jemi ringritur sa herë jemi goditur nga pabesitë e fatit apo të kundërshtarëve”, tha Basha.
Basha foli edhe për djegin e mandateve duke thënë se kishte vetëm një qëllim, atë të zgjedhjeve të parakohshme. Duke mbrojtur vendimin e paprecedentë, Basha tha se pa këto beteja do të shkonin duke u zvarritur drejt 25 prillit si bashkëfajtorë dhe si fasadave të regjimit.
“Siç e dini fare mirë nën drejtimin tim dhe me vendimet e mia, janë ndërmarrë disa prej akteve më të paprecedentë në 30 viteve pluralizëm. Por nuk janë ndërmarrë as për veten time dhe as për fatin tuaj, janë ndërmarrë për ta çliruar Shqipërinë nga ky regjim. Djegia e mandateve kishte një dhe vetëm një objektiv: zgjedhje të parakohshme dhe shembjen një orë e më parë të një parlamenti të dalë nga një tjetër palë zgjedhjesh ilegjitime siç ishin ato të 2017-ës. Sot është e lehtë të rishkruash historinë sepse siç e thotë populli “të mençur pas Kuvendit e trima pas lufte ka boll”, por ne duhet të kujtojmë e duhet të jemi të vetëdijshëm se pa këto beteja do të shkonim duke u zvarritur drejt 25 prillit si bashkëfajtorë dhe si fasadave të regjimit dhe jo ballë për ballë regjimit dhe njësoj e bërë njësh me qytetarët, të cilëve ua kthyem bashkë me mandatet edhe besimin. Se edhe betejat ne do të luftojmë e do t’i çojmë deri në fund për ta dhe familjet e tyre. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër sepse njësoj si në 91-shin njerëzit na ndoqën e na besuan” tha Basha.


