Ka dy beteja të rreme, të cilat kryeministri Edi Rama duket se mezi i ka pritur. Rebelimi i pedagogëve për mungesën e rrogave, dhe rebelimi i aktorëve për godinën e Teatrit dhe ligjin e ri të arteve. I pari është një problem real social i pedagogëve, që rrjedh nga papërgjegjësia e menaxhimit të Universitetit publik dhe probleme burokratike të dikastereve përgjegjëse të Ministrisë së Financës dhe asaj të Arsimit për aktet nënligjore që rregullojnë reformën e re arsimore. Në thelb, është problem i paaftësisë së qeverisjes, si asaj qëndrore, dhe asaj universitare.
Por beteja që u ngjiz dhe u tentua të fryhej, u ngrit si betejë politike, si shantazh ndaj Universitetit dhe lirisë akademike, dhe mbi të gjitha, si diçka e qëllimshme që qeveria po ja bënte Universitetit publik, në favor të universiteteve private.
Është kjo arsyeja që sot Edi Rama shkoi serbes mes tyre për të fituar betejën fallco me ta, ndërkohë që beteja e vërtetë, që është jo politike dhe ka të bëjë me problemet e qeverisjes së tij, me vonesat e akteve nënligjore dhe padyshim, paaftësinë shembullore të Universitetit të Tiranës. Është kjo arsyeja që kur shikoje debatin e tij me pedagogët e Universitetit sot, e kuptoje se problemi real është goxha i madh, por nuk është ai që u shfaq në publik.
Dhe është kjo arsyeja përse kryeministri shkon serbes mes tyre e debaton, duke i nxjerrë ata më keq se veten.
I njëjti problem qëndron dhe me betejën plot patetizëm dhe protagonizëm aktorësh në lidhje me godinën e Teatrit. Vëmendja ndaj betejës së aktorëve deri tani është tërhequr nga fjalimi i Robert Ndrenikës dhe monologu i Bujar Asqeriut, që lidhen me godinën e Teatrit. Të dy këta janë padiskutim yjet e skenës së Teatrit të mbetur shqiptar. Por në çdo vend të botës, betejat e mëdha të aktorëve nuk janë për muret e teatrove, edhe pse ato kanë historinë e tyre. Aktorët e mëdhenj kanë bërë ose beteja për lirinë dhe censurën, ose beteja për impaktin e artit të tyre në shoqëri. Vetëm tek ne, ka një dispropocion nga beteja që duhet të bëjnë për ligjin e arteve dhe lirinë e tregut të kinematografisë e teatrit, në raport me betejat që bëhen për sallën e Teatrit. Në gjithë këtë debat, kulmi i emocioneve të publikut është arritur kur disa aktorë kanë thënë se të vdekur ikin nga ajo sallë.
E vërteta është se në historinë e ndërtimit të teatrit të ri ka plot vend për debat, nëse ai duhet të jetë një godinë më vete dhe e bukur, apo pjesë e një kompleksi ndërtimesh, por ky është debat urbanistik dhe politik, ku askush nuk dyshon dhe favorizime klienteliste, por jo kryedebat aktorësh.
Në historinë e Teatrit tonë kombëtar, këto 27 vjet, është qesharake që kemi vetëm sherre për godinën dhe debate se kush e ka dhënë bingon “Ylli” në teatër, Sali Kelmendi, apo Brojka, dhe pse Rama nuk e mbylli vitin e parë, por vitin e dytë.
Historia e palavdishme e Teatrit tonë kombëtar këto 27 vjet, është padyshim dhe problem politik, por mbi të gjitha është problem artistik. Për fatin tonë të keq, ne kemi aktorë të mirë, por nuk kemi Teatër, ashtu siç nuk kemi kinematografi dhe letërsi të mirë.
Këto 27 vite nuk kemi asnjë dramë, asnjë komedi, asnjë film dhe asnjë vepër letrare, që të lërë gjurmë në kohën tonë, dhe t’i qëndrojë të ardhmes. Kemi mediokritete kulturore, që nuk shikohen dy herë, dhe kemi aktorë që tani janë mbi nivelin e krijimtarisë së ditës. Rebelimi i tyre real, duhet të jetë beteja për të prodhuar art, qoftë dhe art të angazhuar kundër pushtetit, pasi ne jemi ndoshta i vetmi vend që kemi më shumë drama dhe komedi në jetën tonë të përditshme, se sa në skenën e Teatrit, në ekranin e filmit apo faqet e librave që shkruajmë.
Varfërimi artistik i Shqipërisë së 27 viteve, është një statistikë e fshehur, që na bën të gjithëve me turp, dhe që është në dispropocion me pasurimin e shqiptarëve dhe shoqërisë shqiptare.
Unë i kuptoj artistët e mërzitur, të revoltuar, bile të skandalizuar nga pozitat ku kanë përfunduar, pasi ata nuk kanë më pushtetin e fjalës në vend, siç e kanë pasur dikur. Në vend të tyre, në ekrane dalin përnatë njerëz mediokër të politikës, kokëboshë të gazetarisë dhe emisione populiste bazuar mbi perversitete, apo lojëra banale. Audienca e ekraneve sot lëviz mes Luanës, Eni Çobanit, Çanit apo Ermalit, dhe e kuptoj pse ata ndjehen të flakur nga gjithë palët. E kuptoj që kinematografinë e kanë zëvendësuar telenovelat turke dhe mbi të gjitha, artin e kanë zëvendësuar poetët e Facebookut. Kjo është vërtet revoltuese për aktorët që kanë pasur pushtetin kryesor të fjalës në vend, kur atë pushtet e diktonte politika. Por ajo nuk ua kthen dot më. E ka të ndaluar. Ndaj revolta do adresë.
Aktorët tanë janë vërtet më të mirët e asaj që ka ngel nga gërmadhat e artit të realizmit socialist në Shqipëri, por ata nuk e kanë problemin që po u ndërrojnë skenën e teatrit, por se nuk kanë lëndë të parë për të qenë yjet e ekraneve tona siç e meritojnë. Ata nuk kanë as vepra, as publik. Kanë vetëm teatër dhe zihen për godinën.
Ne i kemi vrarë ata si shoqëri, si pushtet, si politikë, si opinion publik, pasi jo vetëm që i kemi kthyer në të padobishëm, por i kemi zëvendësuar me ushqime të tjera që plotësojnë oreksin tonë banal për artin, kulturën, letërsinë dhe ekranin. Ata janë vërtet në hall dhe meritojnë të jenë përditë në protesta, por nuk ua ka fajin skena e teatrit, që ua ndryshojnë, se nuk ua heq ajo frymëzimin. Problemi i tyre është se shoqëria jonë nuk frymëzohet më prej produktit të tyre, jo për faj të tyre, por për faj të gjithë ne të tjerëve që kemi ndryshuar veten dhe shoqërinë, duke i kthyer ata në rudiment.
Ata janë sot të mllefosur nga mungesa e publikut më shumë se nga vëmendja e qeverisë, dhe kjo është beteja e tyre reale. Por në betejën ku duan të futen me qeverinë, ka pak argumente kulturore dhe shumë marifete urbanistike, nga e cila qeveria mund të dalë e bërë pis, por ata nuk dalin kurrë të fituar. Ata duhet të bëjnë betejën e tyre për të krijuar një treg të Teatrit, dhe të rifitojnë publikun, duke ja hequr nga duart mediokrëve dhe injorantëve, që kanë mbushur boshllëkun e tyre. Dhe këtë nuk mund t’ua bëjë dot qeveria me VKM. Këtë duhet ta bëjnë vetë duke u përballur edhe me qeverinë. Duke bërë një art të vërtetë që trondit shoqërinë, si artistë që kanë pronë publikun, jo kafenenë afër Teatrit. Se për këtë të dytën, qeveria është gati të bëjë dialog gjithë jetën!