Por nëse e njeh nga afër këtë histori nuk është ashtu si duket dhe shkakton debate. Fati i Azemit ishte i trishtë, kurse historia e tij ishte e madhe. Ato nuk u përputhën kurrë sa ishte gjallë”
Zoti Baze! A ka ekzistuar ai Azem Hajdari që sot po i bëhet homazh e po i ngrihen përmendore? Sepse Mustafa Nano thotë jo, nuk ka ekzistuar?
Azem Hajdari është një njeri që prodhoi më shumë histori nga sa mund të mbante dhe është një histori që shpesh nuk përputhet me njeriun e gjallë e të prekshëm që ne kemi njohur. Azem Hajdari nuk ia doli dot të udhëhiqte partinë që krijoi dhe ishte i qartë për këtë, por nuk pranoi dot kurrë faktin që partia që krijoi ta zbonte atë edhe nga radhët e veta. Për tetë vite të jetës së tij politike, ai ishte më shumë në konflikt me partinë e tij dhe mospranimin e vazhdueshëm të saj se sa me kundërshtarët politikë. Dhe biografia e tij e vërtetë është pikërisht beteja për t’u pranuar nga PD. Sali Berisha nuk e pranoi kurrë, as si bashkëpunëtor, as si aleat politik, as si njeri me vlera. Kishte një qëndrim konstant kundër tij, edhe për të qetësuar bashkëpunëtorët e tjerë të tij siç ishte ish kryeministri, ish-shefi i SHIK etj., të cilët kishin problem me Azemin.
Unë jam njeriu që kam mundur t’i pajtoj ata në prill të vitit 1997, kur Shqipëria ishte në flakë dhe kur asnjë prej tyre nuk kishte çfarë të humbiste. Por dhe atë takim e kam bërë me hile, duke e bërë fakt të kryer. Sali Berisha do të dilte për herë të parë nga zyra për të shkuar në një takim në Kavajë, dhe unë ia shpjegova Azemit se ky ishte rast i mirë që të takoheshin duke e bërë fakt të kryer. Ka qenë me Agim Doçin kur ia thashë.
Të nesërmen Azemi i kishte zënë rrugën te Shkëmbi Kavajës me dhjetëra makina të demokratëve të Kavajës dhe Berisha bëri sikur nuk kishte ndodhur gjë. Pas tetë vitesh u takua sërish me të. Pastaj shkuam te Hotel Egnatia, ku u vendos çfarë do bëhej në Kavajë. Më tej Azemi e dinte vetë se çfarë të bënte. Të gjithë ata që ngriheshin në sallë për të folur te Kinemaja, e fillonin fjalinë: “Doktor, të duam se ke ardhur me Azemin…”. Ishte një regjisor i talentuar në këtë pikë. E vetmja periudhë paqeje e Berishës me Azemin ka qenë nga kjo ditë derisa vdiq në vitin 1998.
Pse mendoni se vazhdon të shkaktojë debate figura e Azem Hajdarit, sa herë rishfaqet në skenë emri i tij?
Do ketë gjithnjë debate rreth tij për shkak se është një figurë që nuk i përputhet momenti historik që e nxori me fuqinë për ta përballuar atë histori. Debatet e tanishme vijnë nga fakti se PD dhe këta të rinjtë që kanë hyrë tani në atë godinë, përdorin historinë, kurse të tjerët duan të përdorin fatin e Azemit. Azemi ka një biografi të përkryer heroi nëse e shikon nga jashtë. Është prijës i studentëve, disident i partisë së tij dhe pastaj i vrarë. Por nëse e njeh nga afër këtë histori nuk është ashtu si duket dhe shkakton debate. Fati i Azemit ishte i trishtë, kurse historia e tij ishte e madhe. Ato nuk u përputhën kurrë sa ishin gjallë. Tani që ka vdekur thjesht përdoren herë njëra e herë tjetra dhe shkaktojnë zhurmë.
Besoni se vetë Hajdari do ta kishte dashur këtë që po i bëjnë sot, pra bustet në Tiranë e Tropojë apo edhe në ndonjë vend tjetër ku mund të ketë të tilla?
Azemi jetonte me delirin e heroit. Bile ajo e mbante gjallë në politikë. Por njeriu nuk mund të ketë në mendje dhe heroin dhe lapidarin. Ai kishte besim te karizma e tij. Kur Azemin e përjashtuan nga Këshilli Kombëtar i PD po e qetësoja bashkë me Ylli Rakipin duke pirë kafe në Rogner. Krah nesh ishte Tritan Shehu që po fliste me një italian. Për ta zbutur Azemin, i folëm Tritanit duke i thënë “pse po i bini më qafë Azemit?”.
-Jo s’kemi gjë me Azemin, s’kemi gjë, -tha Tritani, i cili në fakt nuk dëshiron të ketë sherr me njeri.
Azemi e pa gjithë inat atë dhe ne.
-Shko mor ti, -i tha. Ça t’i bëj Marshallit unë, (Berishës d.m.th.), se aq vetë sa të mblidhen ty në Shesh “Skënderbej”, mua më mblidhen në Mirditë kur më bie gomë e makinës.
A është Azem Hajdari hero, ashtu siç e konsideron e djathta?
Azemi nuk është një hero i së djathtës dhe as një armik i së majtës. Azemi është një prijës i lëvizjes studentore, e cila ka shumë ngjyra dhe përtej Azemit. Por besoj se Azemi më shumë beteja politike ka bërë të pranohet nga Berisha dhe PD, se sa nga komunistët. Bile kjo është dhe ana më heroike e tij, beteja me të vetët.


