• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 1 September, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

1 September, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
DOSSIER/ “S’ka gjasa për ndryshime të dukshme”, raporti sekret i SHBA më 1982 për Shqipërinë pas vdekjes së Mehmet Shehut! Çfarë dinte Uashingtoni për Shqipërinë?
Home
Dossier

DOSSIER/ “S’ka gjasa për ndryshime të dukshme”, raporti sekret i SHBA më 1982 për Shqipërinë pas vdekjes së Mehmet Shehut! Çfarë dinte Uashingtoni për Shqipërinë?

1 September, 2026 s.autor Dossier

ALBERT HITOALIAJ

Ky dokument është një raport analitik me titull “Albania After Shehu: Foreign Policy” (“Shqipëria pas Shehut: politika e jashtme”), i përgatitur nga Byroja e Inteligjencës dhe Kërkimit Shkencor(Bureau of Intelligence and Research – INR) e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Raporti mban numrin 416-AR dhe është hartuar më 22 qershor 1982, në kulmin e debatit ndërkombëtar mbi pasojat politike të vdekjes së Mehmet Shehut dhe perspektivat e politikës së jashtme të Shqipërisë. Dokumenti ruhet në Fondin Arkivor “Norman Bailey Files”, në Kutinë 1, brenda dosjes “Eastern European Policy, June 1982”, e cila përmban materiale analitike mbi zhvillimet politike në Europën Lindore të qershorit 1982. Në sistemin arkivor të fondit, dokumenti identifikohet me numrin: ID 153504; është i klasifikuar si lloji “Report” dhe përbëhet nga 16 faqe. Raporti është pjesë e koleksioneve të Ronald Reagan Presidential Library në Simi Valley, Kaliforni. Ai u deklasifikua sipas procedurave të Freedom of Information Act (FOIA), me kod administrativ M452, dhe u bë publik më 2 qershor 2015 (U.S. Department of State, Bureau of Intelligence and Research. Albania After Shehu: Foreign Policy. Report 416- AR. June 22, 1982. Norman Bailey Files, Box 1, Eastern European Policy, June 1982. Ronald Reagan Presidential Library. Declassified under FOIA, 2 June 2015).

Në kohën e hartimit, dokumenti mbante klasifikimin Confidential / Not Releasable To Foreign Nationals (Confidential/Noforn), gjë që nënkuptonte se ishte i klasifikuar si Konfidencial dhe nuk lejohej t’u shpërndahej shtetasve ose qeverive të huaja. Edhe pas deklasifikimit, dokumenti ruan shënimet origjinale të klasifikimit për secilin paragraf, në përputhje me praktikën standarde të komunitetit amerikan të inteligjencës: (U) Unclassified – informacion i paklasifikuar; nuk konsiderohet sekret; mund të publikohet pa kufizime të veçanta; (C) Confidential – informacion konfidencial; zbulimi i paautorizuar mund të dëmtojë interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së; (C/NF) ose (C//NF) Confidential // NOFORN – informacion konfidencial që nuk lejohet t’u shpërndahet shtetasve ose qeverive të huaja (No Foreign Nationals), mund të qarkullojë vetëm brenda personelit amerikan me autorizimin përkatës të sigurisë. Në raportet e CIA-s, DIA-s dhe INR-it, çdo paragraf klasifikohet veçmas. Kjo lejon që paragrafët (U) të mund të nxirren dhe publikohen pa cenuar informacionin e klasifikuar; paragrafët (C) ose (C/NF) të mbeten të mbrojtur. Ky sistem quhet portion marking (shënimi sipas paragrafëve) dhe është praktikë standarde në dokumentet e komunitetit amerikan të inteligjencës. Edhe pse dokumenti që po lexojmë është deklasifikuar, shënimet (U), (C) dhe (C/NF) ruhen për të treguar nivelin origjinal të klasifikimit të secilit paragraf në momentin kur raporti u hartua.

Raporti u përgatit nga analisti Paul Costolanski dhe u miratua nga Kristen Matehue, – të dy pjesë e Byrosë së Inteligjencës dhe Kërkimit Shkencor, të Departamentit të Shtetit të SHBAsë. Ai përbën një vlerësim analitik të politikës së jashtme shqiptare pas vdekjes së Mehmet Shehut, duke shqyrtuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, Jugosllavinë, Kinën, Shtetet e Bashkuara, vendet e Europës Perëndimore dhe shtetet e Ballkanit, si edhe skenarët e mundshëm të evolucionit të orientimit strategjik të vendit pas largimit të Enver Hoxhës. Dokumenti ka vlerë të shumëfishtë, sepse krahas aspektit historik, ushqen me informacion edhe fushën gjeopolitike.

Raporti i INR-së i vitit 1982 ka vlerë të veçantë sepse, përtej analizës së Shqipërisë pas Mehmet Shehut, identifikon një konstante strukturore të gjeopolitikës shqiptare: pesha ndërkombëtare e vendit buron më shumë nga pozicioni gjeografik sesa nga fuqia e tij materiale. Formulimi se vendndodhja e Shqipërisë në Ballkan dhe Adriatik i jepte një rëndësi të veçantë, si për NATO-n edhe për Traktatin e Varshavës («shumë më të madhe se përmasat dhe popullsia e saj») është teza gjeopolitike qendrore e dokumentit…

Në vitin 1982, trekëndëshi përcaktues, ishte ShqipëriJugosllavi-BRSS. Kosova funksiononte njëkohësisht si çështje kombëtare shqiptare, dobësi e brendshme jugosllave dhe potencial për depërtim sovjetik. Prandaj Uashingtoni arrinte në një përfundim paradoksal: Hoxha, megjithëse thellësisht antijugosllav, kishte interes strategjik për ekzistencën e një Jugosllavie të fortë si barrierë ndaj BRSS-së. Kjo është logjikë klasike e ekuilibrit të fuqisë.

Sot aktorët dhe aleancat kanë ndryshuar, por gjeografia jo. Shqipëria nuk është më shtet tampon, i izoluar: është anëtare e NATO-s dhe procesi i integrimit në BE ka avancuar. Megjithatë, funksioni gjeopolitik i hapësirës shqiptare mbetet po ai: baseni Adriatiko-Jonian, Ballkani Perëndimor, Kosova dhe korridoret drejt Mesdheut përbëjnë një nyje lidhëse ndërmjet Europës kontinentale dhe Mesdheut.

Ndryshimi themelor është se Shqipëria ka kaluar nga kërkimi i një “mbrojtësi” të jashtëm, në bashkëngjitjen institucionale Perëndimore. Por paralajmërimi më interesant i raportit mbetet aktual: dobësitë e brendshme (ekonomike, politike dhe institucionale) mund ta zvogëlojnë autonominë gjeopolitike të një shteti. Këtu vlen të përmendim shkaras edhe deklaratën e sekretarit amerikan Marko Rubio (2 qershor, 2026), se: “Një vend që nuk është në gjendje të ndërtojë anije, të prodhojë ilaçe, të kontrollojë emigracionin ose të sigurojë qasje te burimet jetike, nuk do të mund të mbrojë popullin e vet, nuk do të mund të mbrojë interesat e veta dhe nuk do të mund të mbrojë mënyrën e vet të jetesës.”

Gjeografia strategjike i jep Shqipërisë rëndësi, por Rubio, me deklaratën e tij, shton dimensionin që raporti i 1982-shit e trajtonte si dobësi: pa kapacitete ekonomike, industriale dhe teknologjike, pozicioni gjeografik nuk përkthehet vetvetiu në fuqi kombëtare. Në këtë kuptim, dokumenti i vitit 1982 duhet lexuar jo thjesht si raport historik, por si dëshmi se pozicioni shqiptar është një pasuri strategjike e qëndrueshme, ndërsa aftësia për ta shndërruar gjeografinë në fuqi kombëtare varet nga cilësia e shtetit.

(I) SHQIPËRIA PAS SHEHUT: POLITIKA E JASHTME

(C) Përmbledhje

Rrethanat misterioze që shoqëruan vdekjen e papritur, në dhjetorin e kaluar, të kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehut, kanë përqendruar vëmendjen mbi të ardhmen e politikës së jashtme dhe të brendshme të regjimit, përfshirë marrëdhëniet e tij me Perëndimin kapitalist, Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë. Si trashëgimtar i dukshëm i udhëheqësit të partisë, Enver Hoxha, pritej që Shehu të vazhdonte dhe të përjetësonte politikat shtypëse dhe izoluese, me të cilat regjimi është identifikuar prej kaq shumë kohësh. Nuk ka gjasa të ndodhin ndryshime të dukshme në këto politika, ndërsa Hoxha mbetet në pushtet. Megjithatë, dihet pak për ata që mund ta pasojnë atë, ose për qëndrimin e tyre ndaj botës së jashtme; mbi të gjitha, dihet pak për mundësinë e një afrimi me Bashkimin Sovjetik.

Moska ka bërë vazhdimisht thirrje për normalizimin e marrëdhënieve sovjeto-shqiptare në interes të socializmit dhe të paqes botërore. Një normalizim i tillë mund të kërcënonte stabilitetin e Jugosllavisë, si edhe interesat strategjike dhe të sigurisë së NATO-s, në Ballkan dhe në Adriatik. Për më tepër, edhe nëse pasardhësi i Enver Hoxhës do të ishte i vendosur të vazhdonte armiqësinë e tij të pakompromis ndaj Bashkimit Sovjetik, udhëheqja e tij mbi një popullsi të pakënaqur dhe trazirat popullore për shkak të kushteve ekonomike dhe shoqërore mund ta shtynin atë t’i drejtohej Bashkimit Sovjetik për mbështetje ushtarake dhe ekonomike. Çdo fraksion prosovjetik që mund të shfaqej do të kishte, me gjasë, një prirje që të vepronte në këtë drejtim. Një hap i tillë mund t’i hapte rrugën sovjetikëve për të rifituar ndikimin politik dhe për të rivendosur një prani ushtarake në vend.

Nga ana tjetër, udhëheqja e re mund të kërkonte afrimin me Perëndimin. Megjithatë, kjo duket më pak e mundshme, duke pasur parasysh prirjen ideologjike tradicionale staliniste të regjimit, armiqësinë e kahershme ndaj Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës Federale të Gjermanisë, si edhe ndalimin kushtetues të vendit për pranimin e kredive nga shtetet “borgjeze”.

ROLI I SHEHUT NË POLITIKËN E JASHTME SHQIPTARE

(C/NF) “Vetëvrasja” e kryeministrit Shehu, më 18 dhjetor (bashkëpunëtorit më të ngushtë të Hoxhës për më shumë se 30 vjet), ka shkaktuar spekulime të konsiderueshme në Ballkan dhe në Perëndim mbi ndikimin që kjo do të ketë në drejtimin e ardhshëm të Shqipërisë. Deri tani, largimi i Shehut duket se ka pasur pak ndikim, për të mos thënë pasur fare, mbi orientimin e politikës së jashtme ose të brendshme të regjimit. Hoxha mbetet plotësisht në kontroll të aparatit të partisë dhe të qeverisë. Adil Çarçani, pasardhësi i Shehut si kryeministër, është zotuar të vazhdojë politikat shtypëse, izoluese dhe ksenofobe me të cilat janë identifikuar Hoxha dhe bashkëpunëtori i tij i fuqishëm, Shehu. Megjithatë, Tirana ka vazhduar përpjekjet e saj të kujdesshme për të zgjeruar marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare me vendet e përzgjedhura Perëndimore, edhe pse disa diplomatë mendojnë se një pjesë e këtij aktiviteti pasqyron më tepër mirësjellje sesa rezultate konkrete.

(C) Kjo zbutje e lehtë në planin diplomatik/tregtar, e cila kishte nisur që në vitet 1970 dhe ishte përshpejtuar pas prishjes shqiptaro-kineze në vitin 1978, duket se hedh poshtë spekulimet se Shehu nuk kreu vetëvrasje për arsye shëndetësore, siç thuhej në njoftimin zyrtar, por se ishte detyruar ta bënte këtë ose ishte vrarë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëdha me Hoxhën, lidhur me politikën e jashtme. Sipas kësaj teze, Shehu favorizonte zgjerimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet e huaja, me qëllim që t’i jepej fund izolimit të saj të vetëimponuar dhe të përmirësoheshin kushtet e saj ekonomike dhe shoqërore, të cilat përfshinin standardin më të ulët të jetesës në Evropë.

(C) Shehu, i cili kishte shërbyer si kryeministër që nga viti 1954, drejtonte aparatin qeveritar — domethënë ekonominë, çështjet kulturore dhe arsimore, sigurinë e brendshme, mbrojtjen dhe punët e jashtme. Përveç kësaj, me sa duket, ai luante një rol të rëndësishëm në formulimin e politikave të partisë, si të jashtme ashtu edhe të brendshme, dhe mbikëqyrte zbatimin e tyre në nivel qeveritar. Nga ana tjetër, Hoxha, 73- vjeçar, për të cilin raportohej se ishte i sëmurë, thuhej se ishte tërhequr gjithnjë e më shumë nga çështjet e përditshme dhe ishte përqendruar në çështje abstrakte ideologjike dhe politike.

(C) Si udhëheqës i partisë, Hoxha ishte qartësisht “primus inter pares” në hierarkinë e regjimit. Megjithëse informacioni mbi funksionimin e brendshëm të udhëheqjes shqiptare ka qenë gjithmonë jashtëzakonisht i vështirë për t’u siguruar, pak raporte kanë pretenduar ndonjëherë se Shehu kishte mosmarrëveshje serioze me të ose se sfidonte autoritetin e tij, të paktën jo deri në valën e fundit të thashethemeve, që vinin kryesisht nga jugosllavët, lidhur me “vetëvrasjen” e Shehut.

Në përgjithësi, besohej se Shehu ishte po aq i pakompromis sa edhe Hoxha në kundërshtimin ndaj armiqve të shpallur politikë/ideologjikë të Shqipërisë: “imperializmit” amerikan, “social-imperializmit” sovjetik, “revizionizmit” kinez dhe jugosllav etj. Disa vëzhgues e konsideronin Shehun madje edhe më të pamëshirshëm se Hoxha në mbikëqyrjen e sistemit shtypës dhe primitiv të lidhur me “marksizëm-leninizmin” e veçantë të Shqipërisë.

PARIMET E POLITIKËS SË JASHTME SHQIPTARE

(C) Që nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me BRSS-në në vitin 1961, Tirana e ka paraqitur “revizionizmin” sovjetik si armikun e saj kryesor ideologjik në botën komuniste, por kërcënimi real ndaj sovranitetit dhe pavarësisë së Shqipërisë tradicionalisht perceptohej se vinte nga Jugosllavia fqinje. Ky perceptim ka qenë faktori shtytës në kërkimin e pasluftës të Shqipërisë për një “mbrojtës” kundër hegjemonizmit jugosllav/”serbomadh”.

Frika nga Jugosllavia e shtyu Hoxhën ta lidhte Tiranën me Moskën pas prishjes Tito-Stalin në vitin 1948 dhe, më pas, të ndërmerrte reprezalje të egra kundër elementeve pro-Tito në partinë shqiptare. Afrimi Tito-Hrushov në vitet 1955-1956 dhe, më vonë, përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet Jugosllavisë dhe Kinës gjatë viteve 1970 luajtën role vendimtare si në vendimin e Hoxhës për t’u shkëputur nga BRSS-ja, ashtu edhe në ftohjen e marrëdhënieve shqiptaro-kineze.

(C) Pasi Pekini ndërpreu tregtinë dhe ndihmën ekonomike për Shqipërinë, në vitin 1978, Tirana mbeti pa një “mbrojtës” ose mirëbërës ekonomik — për herë të parë në periudhën e pasluftës. Si përgjigje, regjimi ndërmori një fushatë intensive propagandistike, duke theksuar “mbështetjen në forcat e veta, sakrificën dhe disiplinën”, për ta bërë ekonominë të qëndrueshme dhe për të mbrojtur pavarësinë përballë “rrethimit të egër dhe bllokadës ekonomike të imponuar nga vendet kapitaliste dhe revizioniste”.

(U) Shtetet e Bashkuara dhe BRSS-ja janë keqbërësit kryesorë, sipas propagandës shqiptare, fajtorë të barabartë për agresion, luftënxitjen, kolonializmin dhe shtypjen, si dhe “armiqtë e betuar” të lirisë dhe paqes. Udhëheqësit shqiptarë janë zotuar se nuk do të pajtohen kurrë me politikat e dy superfuqive dhe as do të vendosin marrëdhënie diplomatike apo marrëdhënie të çfarëdo lloji tjetër me to.

(U) Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që zgjodhi të mos merrte pjesë në Konferencën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (KSBE/CSCE) të vitit 1975, e cila çoi në Aktin Final të Helsinkit. Regjimi e ka denoncuar atë akt si një “farsë” të kurdisur nga superfuqitë për të garantuar dhe për të forcuar sferat e tyre përkatëse të ndikimit në Evropë. Zyrtarët shqiptarë pretendojnë rregullisht se zhvillimet që prej Konferencës së Helsinkit e kanë përligjur plotësisht qëndrimin e tyre.

(U) Shqipëria u tërhoq zyrtarisht nga Traktati i Varshavës në shtator 1968, pas pushtimit të Çekosllovakisë të udhëhequr nga sovjetikët. Përpara këtij vendimi, ajo prej vitesh nuk kishte marrë pjesë në asnjë mbledhje të Traktatit të Varshavës apo të Këshillit për Ndihmë Ekonomike Reciproke (KNER/ CMEA). (Shqipëria ishte ndër anëtarët themelues të Traktatit të Varshavës, në vitin 1955; ajo ishte “ftuar” t’i bashkohej KNER-it në shkurt 1949, një muaj pas krijimit të tij.)

Shqipëria nuk i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike apo ekonomike me vendet e Evropës Lindore anëtare të Traktatit të Varshavës. Me përjashtim të Rumanisë, me të cilën shkëmbeheshin ambasadorë, marrëdhëniet diplomatike me këto vende zhvilloheshin në nivelin e “të ngarkuarit me punë” (“chargé d’affaires”). Megjithatë, Tirana i kishte refuzuar marrëdhëniet parti me parti me këto vende dhe i kishte sulmuar vazhdimisht ato si “revizioniste”, në mënyrë të vazhdueshme, — me përjashtim të Rumanisë.

(U) Shqipëria ka refuzuar gjithashtu lidhjet partiake me partitë që nuk janë në pushtet dhe të cilat ajo i konsideron “revizioniste” (p.sh., ato në Francë, Itali, Spanjë, Holandë, Belgjikë, Skandinavi, Finlandë, Japoni etj.). Ajo i dënon eurokomunistët se luajnë rolin e një “kolone të pestë” në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Megjithatë, ajo mban kontakte me ato parti dhe grupe të shkëputura marksiste-leniniste që e konsiderojnë Tiranën si qendrën e traditës marksiste-leniniste.

(C) Izolimi i gjatë i Shqipërisë nga bota e jashtme dhe largimi i saj nga lëvizja komuniste ndërkombëtare thekson nga rrallësia e udhëtimeve jashtë vendit të udhëheqësve të saj. Që nga vitet 1960, Hoxha nuk është larguar nga Shqipëria (dhe as Shehu), me përjashtim të udhëtimeve rastësore në Francë për trajtim mjekësor. Praktikisht, të vetmet udhëtime jashtë vendit të ministrit të Jashtëm të Shqipërisë kishin qenë ato për të marrë pjesë në sesionet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Deri në vitin 1978, ministra të tjerë të kabinetit kishin vizituar rrallë vende të huaja, me përjashtim të Kinës. Disa udhëtime jashtë vendit kryheshin në nivele më të ulëta zyrtare (p.sh., delegacione tregtare që negocionin marrëveshje, shkëmbime arsimore etj.), por edhe këto ishin të kufizuara.

(C) Nacionalizmi shqiptar, i cili parashikon bashkimin e të gjithë shqiptarëve në një “Shqipëri të Madhe”, ka qenë një instrument i rëndësishëm i politikës së jashtme të Hoxhës. (“Shqipëria e Madhe” do të përfshinte: territorin e regjimit të tanishëm, krahinën e Kosovës në Jugosllavi, zona të tjera të Jugosllavisë të banuara nga shqiptarë dhe pjesë të Greqisë veriore.)

Hoxha e ka përdorur nacionalizmin për të bashkuar dhe forcuar regjimin e tij, për ta përdorur si një valvul sigurie ndaj pakënaqësisë së mundshme për kushtet ekonomike dhe shoqërore brenda vendit, si dhe për të çuar më tej fushatën e tij politike/ideologjike kundër Jugosllavisë.

Megjithatë, kur e ka gjykuar të leverdishme, ai i ka zbutur ose, në dukje, i ka braktisur këto aspekte të politikës së tij të jashtme, — për shembull, në marrëdhëniet e tanishme të Shqipërisë me Greqinë dhe gjatë afrimit të shkurtër me Jugosllavinë në fund të viteve 1970, deri në trazirat e pranverës së vitit 1981 në Kosovë, ku shqiptarët përbënin rreth 70 për qind të popullsisë.

Madje, sipas raportimeve, ai ishte zotuar se do të ndihmonte në mbrojtjen e Jugosllavisë, nëse ajo do të sulmohej (p.sh., nga BRSS-ja).

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ZBARDHEN 8 RASTE TË VJEDHJEVE NË DURRËS GJATË 2 MUAJVE/ Arrestohet 1 hajdut, në kërkim tjetri
Previous article GJKKO NDRYSHON KOMUNIKIMIN ME MEDIAT/ Mbyllet grupi aktual në WhatsApp, ja si do të bëhet akreditimi i gazetarëve

s.autor

Postime të ngjashme

DOSSIER/ Si e parashikoi Ramiz Alia skenarin rumun, në mbledhjen e Byrosë më 25 dhjetor ’89: Rinia në Rumani, se gjeti rrugën e vërtetë për vendosjen e drejtësisë komuniste... Dossier

DOSSIER/ Si e parashikoi Ramiz Alia skenarin rumun, në mbledhjen e Byrosë më 25 dhjetor ’89: Rinia në Rumani, se gjeti rrugën e vërtetë për vendosjen e drejtësisë komuniste...

DOSSIER/ Mbledhja e Byrosë me Ramiz Alinë, ditën e ekzekutimit të Çausheskut, 25 dhjetor ‘89: Mehmet Elezi më tha që redaksinë e ‘Zëri i Rinisë’ e kishte telefonur njëri e, u kishte thënë se... Dossier

DOSSIER/ Mbledhja e Byrosë me Ramiz Alinë, ditën e ekzekutimit të Çausheskut, 25 dhjetor ‘89: Mehmet Elezi më tha që redaksinë e ‘Zëri i Rinisë’ e kishte telefonur njëri e, u kishte thënë se...

DOSSIER/ Dokumentet sekrete të CIA-s, për praninë ruse në Shqipëri në ’61-in: Sovjetikët kanë vendosur katër baza detare; një në kepin Linguetta, në veri-perëndim të gjirit të Vlorës... Dossier

DOSSIER/ Dokumentet sekrete të CIA-s, për praninë ruse në Shqipëri në ’61-in: Sovjetikët kanë vendosur katër baza detare; një në kepin Linguetta, në veri-perëndim të gjirit të Vlorës...

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT