Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë vendimin final ditën e djeshme, për 8 banorët e fshatit Ninesh të Fratarit në Fier, që u kapën në vitin 2016 me 145 kg hashash. 8 Tetë banorët u vunë nën akuzë për prodhim dhe shitje të narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Por akuza e grupit u rrëzua dhe ata u dënuan në total me 37 vjet burg për kultivim bimësh narkotike. Vetë banorët kanë shfaqur gjithmonë pendesë për krimin e kryer, por janë justifikuar se ishin në gjendje mjaft të rënduar ekonomike.
Përkatësisht, Gjykata ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj shtetasin Leo Tafa; 6 vjet Meto Skënderaj; 5 vjet e 4 muaj Mehmet Skënderaj, 5 vjet Artan Skënderaj; 5 vjet Miklovan Kuka; 4 vjet e 8 muaj Dorian Tafa, Eglantin Tafa dhe Jorina Metaj. Procesi është zhvilluar te Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi 8 banorët e Nineshit akuzoheshin edhe për grup të strukturuar kriminal.
Në sallën e gjyqit, ata kanë pranuar akuzën e kultivimit dhe shitjes së narkotikëve, por ajo atë të grupit të strukturuar kriminal, që do t’u shtonte nga pesë vjet më shumë burg. Të tetë të akuzuarit kanë shfaqur pendesë dhe kanë thënë në sallën e gjyqit se vështirësitë ekonomike i detyruan që të merreshin me prodhim narkotikësh.
Në vitin 2016, në kuadër të operacioneve antidrogë, Policia e Fierit zbuloi një banesë në fshatin Ninesh, në të cilën u gjetën 145 kg kanabis. Menjëherë u kryen verifikimet dhe u vunë në pranga të pandehurit.


