Agjencia e lajmeve ruse “Sputnik” ka publikuar një reportazh nga i dërguari i tyre në Siri, për të përshkruar situatën atje pak orë pas sulmeve të SHB, Francës dhe Britanisë. Në shkrim ironizohet kjo lëvizje dhe nënvizohet fakti se qytetarët në Siri e kanë vijuar jetën normalisht pa u shqetësuar pas asaj që ndodhi.
Ja shkrimi:
Edhe pse 14 prilli filloi për banorët e Damaskut me shpërthime dhe raketa shpërthyese, ata kanë tentuar të vazhdojnë jetën e tyre të përditshme dhe madje talleshin me Donald Trump, i cili urdhëroi sulmin. I dërguari i Sputnik në kryeqytetin sirian bisedoi me njerëzit për mënyrën se si ata e kaluan ditën pas bombardimeve.
Sulmi ajror i zgjoi sirianët në kryeqytetin e Damaskut në orën katër të mëngjesit dhe i mbajti ata pa gjumë për gati një orë. Forcat e përbashkëta të SHBA, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës nisën rreth 100 raketa, 70 prej të cilave u rrëzuan, sipas njoftimeve të forcave të ushtrisë siriane.
Sulmi dëmtoi infrastrukturën siriane dhe la të plagosur tre civilë; një burim i ka thënë Sputnik se ata ishin të mitur. Ai pranoi se një nga objektivat ishte Qendra Kërkimore Shkencore e Sirisë në Barzeh, por vuri në dukje se sulmet ajrore në objektet e ushtrisë në zonat rurale pranë Damaskut u pakësuan.
“Sistemi ynë i mbrojtjes ajrore u tregua efikas ndaj raketave amerikane; Mund të them se sulmi ka qenë i pasuksesshëm dhe kemi marrë humbje më të lehta”, i tha ai Sputnik.
Përveç një proteste kundër sulmit amerikan pranë një xhamie në qendër të qytetit, banorët e Damaskut i thanë Sputnik se ishin në gjendje të kalonin lehtë natën dhe u përpoqën të ktheheshin në jetën e përditshme.
“Familja ime dhe unë u zgjuam kur dëgjuam shpërthimet; kemi ndjekur atë që po ndodhte në mediat kombëtare. Për mua, këtë mëngjes nuk ishte shumë ndryshe nga të tjerët, unë u ngrita herët dhe hapa dyqanin tim”, tha një sirian për Sputnik.
Në mediat sociale disa talleshin me Donald Trump dhe ofensivën e tij. Një nga komentuesit kishte postuar:
“Raketat e Trump nuk janë më të zgjuara se i zoti i tyre”. Para sulmit, Presidenti amerikan shkroi në rrjetet sociale duke u mburrur për raketat amerikane.
Përgatiti: Panorama


