Opozita do të protestojë ditën e sotme për herë të tetë. Teksa në ambjentet e Kuvendit do të zhvillohet seanca plenare, jashtë protestuesit do të kërkojnë largimin e Edi Ramës. Bëhet me dije se Lulzim Basha, do të mungojë sot në protestë për shkak të angazhimeve që do të ketë jashtë vendit. Mësohet se Basha është nisur të martën drejt Gjermanisë, ku do të takohet me përfaqësues të CDU-së për t’i njohur me situatën politike në Shqipëri.
Opozita ka paralajmëruar protesta sa herë të ketë seancë plenare për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe një qeveri tranzitore që do të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme të lira dhe të ndershme që do i hapnin rrugën Shqipërisë drejt integrimit. Nga 16 shkurti opozita ka organizuar 7 protesta para Kryeministrisë dhe parlamentit. E fundit ishte më 28 mars. Opozita ka djegur mandatet parlamentare, një pjesë e të cilave janë zëvendësuar nga deputetë të rinj, kandidatë të listave të PD dhe LSI të 2017.


