Ka përfunduar takimi mes Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Prokurores së Përgjithshme Arta Markut. Mësohet se takimi ka zgjatur për rreth 30 minuta, me dyer të mbyllura në Prokurorinë e Përgjithshme, raporton AlpeNews.al.
Nga informacionet paraprake mësohet se biseda është zhvilluar për grupet kriminale dhe trafikun e lëndëve narkotike.
NJOFTIMI I PROKURORISE
Prokurori i Përgjithshëm, znj. Arta Marku priti në një takim Ministrin e Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me fokus të veçantë realizimin e procesit të Vetingut, luftën kundër korrupsionit dhe trafikut të lëndëve narkotike.
Në takimin e zhvilluar ditën e Premte (dt. 29.12.2017), në qendër të diskutimit ishte procesi i Vetingut në sistemin e drejtësisë, si edhe i njëjti proces i pritshëm edhe në radhët e Policisë së Shtetit.
Dy titullarët shprehën dakordësinë e plotë se këto procese kërkojnë një komunikim të vazhdueshëm dhe intensiv, me qëllim realizimin sa më të plotë dhe të shpejtë të pastrimit të institucioneve të sigurisë dhe të sistemit të drejtësisë nga zyrtarët me probleme në integritetin profesional dhe personal.
Në vijim të takimit, zonja Marku theksoi rëndësinë specifike që ka bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme në forcimin e sigurisë në vend, si edhe në pëmbushjen e prioriteteve të vendit për integrimin në Bashkimin Europian.
Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se do të angazhohet maksimalisht për koordinimin ndërinstucional, me qëllim zhvillimin me sukses të hetimeve të rëndësishme, si edhe të çdo procedimi penal me impakt të lartë shoqëror.
Ministri i Brendshëm, z. Xhafaj garantoi se institucioni që ai drejton, si edhe Policia e Shtetit, do të vijojnë forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për rritjen e hetimeve proaktive, ku prioritet do të jetë lufta kundër korrupsionit.
….
09:14. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, kokë më kokë me Prokuroren e Përgjithshme Arta Marku
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj po zhvillon mëngjesin e sotëm takimin e paralajmëruar me kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku. Mësohet se takimi po zhvillohet në Prokurorinë e Përgjithshme.
Mësohet se takimi ka nisur që në orën 09:00, raporton AlpeNews.al.
Takimi mes Markut dhe Xhafajt u paralajmërua nga ky i fundit në një prononcim për mediat ditën e mërkurë.
Sakaq dje Marku ka zhvilluar një takim me kreu i komanduar i Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Helidon Bendo. Takimi mes Bendos dhe Markut është zhvilluar me dyer të mbyllura në Prokurorinë e Përgjithshme në lidhje me informacionet që këto dy institucione shkëmbejnë me njëri-tjetrin. Dhe pas tij kryeprokurorja e përgjithshme e përkohshme ka zhvilluar një takim dhe me ambasadoren gjermane, Susanne Schütz.
Përgatiti: AlpeNews.al
vijon


