-Me 84 vota pro, Kuvendi miratoi amnistinë penale, nga e cila do të përfitojnë 1335 të dënuar. Sipas pr.ligjit të miratuar me votat e Partisë Socialiste dhe ato të PSD-së, 466 persona do të lirohen menjëherë nga burgu, nga të cilët 11 janë gra dhe 1 i mitur. Ndërkohë, 869 të tjerët do të përfitojnë ulje dënimi, mes tyre 8 gra dhe 1 i mitur.
Nga amnistia do të përfitojnë burrat që deri më 31 maj 2026 janë dënuar me vendim të formës së prerë deri në 3 vite burg ose u kanë mbetur pa vuajtur deri në 3 vite dënim, si edhe gratë e dënuara deri në 4 vite burg ose të cilave u kanë mbetur pa vuajtur deri në 4 vite dënim. Asnjë nga subjektet e SPAK dhe GJKKO nuk do të përfitojnë ulje dënimi apo lirim nga qelia.
Kryeministri Edi Rama mbërriti në Kuvend pas gati 3 ore e gjysmë ndërprerje seance. Ai ngriti kartonin t’i dhënë dritën jeshile amnistisë penale, ndërsa në sallë u rishfaq edhe deputetja Elisa Spiropali, e cila dukshëm është distancuar që pas disa përplasjeve që ka pasur me kryesocialistin.
LEXO EDHE:
Protestuesi thirrje shqiptarëve: Shërohuni nga Ramizmi dhe Berishizmi, çlirohuni nga idhujt! Duhet të çohemi mbi tiraninë
Sali Berisha dhe të tijtë e bojkotuan votimin e amnistisë dhe nuk shkuan në sallë kur po bëhej votimi i ligjeve në rend dite. Pasi bllokuan foltoren për gati 4 orë dhe nuk lejuan zhvillimin normal të seancës, Berisha e kishte paralajmëruar se nuk do ta votojnë amnistinë, pasi sipas tyre në rend dite duhej të ishin vetëm kërkesat e protestuesve.
“Nuk e votojmë amnistinë. S’kemi asgjë tjetër në rend përveç kërkesave të protestuesve. Rendi i ditës janë kërkesat e protestuesve”, tha Berisha më herët gjatë ditës.
Të vetmit deputetë në sallë, ishin ata të partisë “Mundësia” që hidhnin pa mikrofon akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar dorëheqjen. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi e përjashtoi Shehajn nga seanca.
“Vazhdoni në oborr me Tik-Tok-un tuaj. Te lulishtja”, i tha Peleshi-Shehajt ndërsa i njoftoi përjashtimin.
Shehaj nuk u largua nga salla, ndërsa u filmua në një moment edhe pranë foltores duke hedhur akuza në drejtim të shefit të qeverisë.


