Shkon në 17-të numri i biznesmenëve që u arrestuan për skemën e mashtrimit me TVSH-në me faturat fiktive që llogaritet se i shkaktuan shtetit një dëm prej 4 mln eurosh.
Në pranga është vënë ditën e sotme Agim Kola administrator i kompanisë Rr.s.M.& Hidro Company. Agim Kola është një emër i njohur, pasi është administrator i kompanisë ‘ANK’, që ka fituar edhe koncesionin e rrugës Milot-Balldren për të cilën nuk kanë munguar akuzat nga opozita në muajt e fundit.
Shqiptarja.com ka siguruar faksimilen nga Qendra Kombëtare e Biznesit ku rezulton se Kola është administrator i shoqërisë ‘ANK’. Më parë në lidhje me hetimet e kësaj dosje u arrestuan edhe 16 biznesmenë të tjerë, por 10 prej të cilëve u liruan, ndërsa 6 janë lënë në arrest me burg 20 ditë.


