Report Tv siguron dëshminë e plotë të Drilon Baretit, i arrestuar si administrator i subjektit “E.B.A. NDERTIM shpk”, por në fakt sipas deklaratave të tij, ai rezulton të jetë thjeshtë një punëtor.
Dëshmia e plotë
Deklaroj se me profesion jam bojaxhi, merrem edhe me gipse. Pra punoj ku ka punë bashkë me një shokun tim, që e quajnë Albert Marku. Pra, afro një vit e gjysmë kam pasur një fatkeqësi familje dhe më duhej një shumë parash dhe i kam kërkuar ndihmë një fqinjit tim, që e quajnë Vildan Saiti. Ai më tha që kam një shokun tim që ka një problem dhe do të nxjerrë një licencë për të hapur magazina dhe të ndihmon me para. Pas dy ditësh më ka marrë në telefon Vildani dhe më tha të shkoj te kafe ‘Europa’ se ka ardhur ai shoku.
Shkova te kafja dhe takova shokun e tij që m’u prezantua me emrin Vildan, por emri i tij është Ned Limllari, i cili ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër dhe më ka dhënë fillimisht 150 mijë lekë të reja duke më thënë se do të hapë disa magazina për lëndë ndërtimi, por duhet që regjistrimi të bëhej në emrin tim në QKB. Ok i thashë, por nuk dua të kem probleme me shtetin, pasi në të kundërt do të tregoj gjithcka. Ok më tha ai. Ai më tha se do të marrësh 30 mijë lekë në muaj për pesë vite. Kam shkuar në disa zyra dhe kemi nxjerrë dokumente. Ditën tjetër ka ardhur sërish Nedi dhe pasi ka bërë një pagesë në Shkodër në një bankë ka shkuar te Tatimet. Nedi ka marrë dy kuti me fatura tatimore, pas kësaj është larguar.
Më pas nuk e kam takuar asnjëherë Nedin, sqaroj se para dy viteve, Vildani më ka thënë se meqë kam të regjistruar shumë makina në emrin tim, a mund të bëj një akt shitje në emrin tënd, të jap 200 euro. Në kushtet e gjendjes së vështirë ekonomike, i thash ok por nuk dua të kem probleme. Shkuan te një notere bëmë letrat dhe firmosa ca letra, por edhe sot makina është në emrin tim, por e mbanë Vildani. Nuk kam pasur asnjë biznes, pasi mezi siguroj e gojës, jam i penduar për letrat që firmosa, por nuk u dhashë rëndësi ndaqë më duheshin paratë.