Në fshatin Zajaz të Kërçovës u varrosën mbetjet mortore të viktimave shqiptare prej masakrave që datojnë nga viti 1913 dhe deri pas Luftës së Dytë Botërore.
Eshtrat u gjetën në disa varreza masive në këtë qytet ku kohë më parë u zbuluan varreza të viktimave nga masakrat ndaj shqiptarëve.
Mësohet se varrimi i mbetjeve mortore u mundësua nga Këshilli Organizativ për zbulimin e krimeve ndaj shqiptarëve në shekullin e kaluar.
Në varrimin e mbetjeve mortore, përveç përfaqësuesve shqiptarë në institucionet e Maqedonisë, të Shqipërisë dhe Kosovës, të bashkësive lokale e fetare, të pranishëm ishin edhe ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Hazbi Lika, kryetari i komunës Skenderaj të Kosovës, Bekim Jashari, kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi, si dhe shumë mysafirë të tjerë.
Ministri Pandeli Majko u shpreh se sot shqiptaria e Maqedonisë nuk kanë në krah vetëm Shqipërinë, por ka dy binjakë, Shqipërinë dhe Kosovën.
“Ne duam paqe. Nëse na ofrojnë paqe, paqe do të ketë”, tha Majko.
Ndërkohë Ali Ahmeti, tha se “banda çetnikësh të organizuara nga ideologji shfarosëse me shpërbërjen e Perandorisë Osmane vërshuan në hapësirat shqiptare”, duke ushtruar siç tha ai, gjenocid për herë të parë në Evropë.
“E kaluara të mos na përsëritet. Mbase ky apel del nga zemra e një njeriu që është masakruar barbarisht, mbi 60 anëtarë të familjes. Ky apel del nga zemra e zhuritur që duhet dëgjuar dhe lexuar nga të gjithë popujt e Evropës, e aq ma shumë nga popujt fqinj.
Aq më shumë duhet dëgjuar nga të gjithë ata njerëz që duan paqen, stabilitetin dhe sigurinë se ne nuk duam të na përsëritet e kaluara, por ajo e kaluar nuk duhet harruar dhe ne se harrojmë.
Ky apel duhet të trokasë edhe tek bashkëqytetarët maqedonase, sepse edhe ata kanë njerëz të vrarë e të masakruar”, deklaroi Ahmeti. (TemA)


