Ka parë sesi vajza e saj e madhe e ka çuar të gjithë rininë e saj e ulur në një karrige me rrota… i është lutur Zotit që të paktën vajza tjetër e vogël të jetë mirë, por tragjedia e ka goditur dy herë.
Jeta e Besime Lamës mund të përshkruhet si një kalvar tragjedish të njëpasnjëshme. Sytë e saj kanë parë sesi gjymtyrët e të bijave janë deformuar, e sesi sot vajzave të saj po u shuhet drita… ulur në karrocën me rrota.
Një histori përtej tragjedisë është ajo e familje Lama nga Laçi. Emisioni “Shqiptarët për shqiptarët” shkoi ta vizitojë familjen. Nëna, Besimja, tregon se sëmundja iu shfaq fillimisht vajzës së madhe, Desarës.

Besimja nuk i mban dot lotët, kur kujton ditën kur e bija i tha se nuk mundej të çohej nga krevati.
Besimja: 6 vjeçe ka qenë Desara kur e preku sëmundja për herë të parë… sot është 17 vjeçe. Në një darkë e vura në gjumë ndërsa në mëngjes nuk u çonte dot. I thashë mos u tall çohu… dhe më tha që nuk mundem o ma. Iu luta Zotit… përse o Zot, fëmijën e para që e pata e ule në karrocë. Nuk e prisja këtë, asnjë moment.

Nëna tregon se ajo që e ka prekur Desarën e saj është një sëmundje që e ka goditur në sistemin nervor. Sara, 16 vjeçe, e ka të vështirë të flasë, ndërsa trupi i saj është krejtësisht i përkulur për shkak të skoliozës. E përveçse këtyre vështirësive, Desara vuan edhe nga epilepsia. Besimja tregon se netët e gjumit për të janë shumë të pakta… por kjo nuk është veçse një ndër tragjeditë e saj. Pas Desarës, u sëmur dhe vajza e vogël, Suada.
Besimja: Ka qenë 25 tetor… atë natë kisha një parandjenjë të keqe. Goca e madhe ishte duke fjetur dhe ishte mirë. Kur i afrohem Suadës, i prek këmbët, i kishte të ftohta. Më tha dhe ajo të nesërmen… mami nuk po ngrihem dot (qan). Nuk m’u besua. I thashë të lutem çfarë po bën… më tha mami dhe unë jam si Sara, nuk eci dot.

Jam ulur në gjunjë, ju lutja Zotit që të më jepte forcë për jetën që më dha. Suadës dhe Desara kishin një sëmundje, u ishte prekur sistemi nervor përgjegjës për ecjen… askujt mos ia pafsha këtë sikletin tim… u jepja bukë me zorr, nuk doja që të dobësoheshin sepse nuk kisha as para për t’i çuar nëpër spitale. Të dyja të sëmura janë, por Desara është më keq. Suada nuk ka vuajtur aq shumë sa Desara…
E sikur të mos mjaftonte ky det me probleme që ka kapluar këtë nënë, i shoqi i Besimes pësoi një aksident pak kohë më parë. Në spitalin ushtarak në Tiranë i dhanë pak shanse. Por fatmirësisht sot kryefamiljari është gjallë, pa çka se dergjet në shtrat, me legenin dhe njërën këmbë të thyer. Ai thotë për emisionin “shqiptarët për shqiptarët” se jeta i është bërë e vështirë. I duket vetja një barrë e madhe aqsa i është mërzitur ekzistenca, pasi të bijat nuk i ndihmon dot më.

Babai: Qaja përditë për fëmijët dhe nuk e mendoja se do më binte për pjesë dhe kjo… ishte krejt e papritur, një shkatërrim total. Vetëm nusja është në shërbim të gjithë kësaj fatkeqësie… askush nuk na ndihmon.
Ka momente që nuk e dua veten të jetoj… ka momente më pas që mendoj se jeta më duhet, të jetoj për hatër të fëmijëve të mi… Kjo është një tragjedi, nuk e kisha menduar kurrë në botë se do të ndodhte, e jo më në shtëpinë time. Ju lutem më ndihmoni. Pa vajzat për mua kjo botë nuk ka frymëmarrje. A bën ndonjë pjesë e imja si prind, që ta marrin prej mua e t’ja japin vajzave të mia.
E mbushur në dhimbje e lotë, Besimja tregon se i ushqen vajzat me zorr, pasi nuk ka para për të rrezikuar sëmundjen e mëtejshme të të bijave. Ato janë në një gjendje të mjerueshme, aqsa dhe ujin nuk e pinë dot me duart e tyre. Besimja lutet për ndihmë. I drejtohet shqiptarëve.

Nëna: Desara ka nevojë për ilaçe, sepse nuk ka. Për epilepsinë i duhen barna, ndërsa për sëmundjen që e ka lënë pa ecur, këtu nuk ka… ka vetëm jashtë shtetit.. duhen disa ilaçe pa të cilat ajo nuk jeton dot. Desara ka nevojë dhe për operacione… shtylla kurrizore i është deformuar shumë (qan) Rri gjithë natën duke i afruar veshin… mos po merr frymë apo jo.
Edhe Suada është bërë keq, është bërë agresive qëkur është aksidentuar i ati. Unë aq kam, dy vajzat e mia dhe do të bëj gjithçka kam e derisa të kem jetë. Ju lutem, shqiptarëve, kudo që ndodhen, të më ndihmojnë sado pak.

Elvis Naçi: Ajo familje ka nevoja të mëdha. Le të bashkohemi dhe bëjmë një vepër të mirë për familjen Lama. Le të shikojmë operacionin për vajzën, për babain. Një mijë e një halle ka kjo familje, por kam shpresë se ne do të bashkohemi për të bërë mirë për familjen Lama nga Hasi… të bëjmë çka mundemi për atë nënë heroinë e cila nuk fle. Ne do të përpiqemi që të bëjmë më të mirën për këtë familje.


