Fenelinat apo logot e institucioneve në automjet prej zyrtarëve apo efektivëve gjatë drejtimit jashtë orarit, përveç gjobës tashmë mund të çojnë edhe në ndjekje penale. Prej vitesh përdorimi pa kriter dhe abuziv është kthyer në shqetësim për qytetarët, të cilët detyrohen t’i japin përparësi apo t’i hapin rrugën.
Së fundmi policia ka konstatuar shumë raste ku përdoren fenelina apo tabela të policisë, xhama të zinj dhe logo institucionesh nga policia, gjykata dhe prokuroria jashtë orarit zyrtar, por edhe të kamufluar nga jo zyrtarë.
Më i fundit ishte me këngëtarin Jozefin Marku, i cili me një automjet me simbole policie sajoi një postbllok për të kapur shtetasin nga Kosova Eduart Kuçi, i cili më parë e kishte ofenduar në rrjete sociale.
Fenelinat shiten masivisht në dyqanet e aksesorëve të makinave, por në shumë raste blihen edhe online në Temu.Së fundmi, Kryepolici Hita ka hartuar një plan masash për goditjen e këtij fenomeni, duke udhëzuar të gjitha strukturat. Ky urdhër nis edhe për vetë policinë e shtetit. Hita u ka kërkuar vartësve në polici që asnjë zyrtar, nëse ndodhen jashtë orarit të punës dhe jo në shërbim, me mjete civile të paautorizuara të mos lejohet të mbajë simbole. Këtu përfshihen të gjithë zyrtarët, madje edhe prokurorët apo gjyqtarët, edhe vetë policia.


