Bashkimi Europian sërish e ka shtuar ndihmën ushtarake për Ukrainën. Ministrat e Jashtëm të BE-së miratuan (23.01.2023) në Bruksel një ndihmë të mëtejshme prej 500 milionë eurosh, përmes së cilës do të financohen blerjet e përbashkëta të armëve dhe municionit, bëjnë të ditur diplomatët. Kësisoj që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës shuma e vënë në dispozicion arrin në 3,6 miliardë euro.
Këto para dalin nga një fond i posaçëm në buxhetin e BE-së, i ashtuquajturi fond për facilitetin e paqes, në të cilin Gjermania si ekonomia më e madhe në grupin e 27 vendeve financon rreth një të pestën e fondit. Përveç kësaj ministri i Jashtëm Ukrainas Dmytro Kuleba i lidhur përmes video-konferencës u ka kërkuar homologëve të tij në BE tanke, sanksione të mëtejshme kundër rusëve dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, sikurse shkruan ai vet në rrjetin e komunikimit Twitter. “Ne na duhen hapa të guximshëm e me vendosmëri, për të siguruar fitoren e Ukrainës më 2023”, thekson ai.
Tanket e prodhimit gjerman tip Leopard
Ministrat e Jashtëm të BE-së u konsultuan gjithashtu për paketën e 10-të sanksioneve kundër Rusisë, që do të miratohet në njëvjetorin e sulmit rus ndaj Ukrainës, më 24 shkurt. Sipas diplomatëve është parashikuar ndër të tjera që të vendoset një tavan për çmimin e naftës dhe derivateve të saj. Për këtë është i nevojshëm një vendim unanim mes vendeve anëtare.
Polonia do të paraqesë kërkesë zyrtare për transferimin e tankeve gjerman “Leopard” Në debatin për furnizimin e Ukrainës me tanket gjermane të tipit “Leopard” po bëhen lëvizje: Polonia do t’i kërkojë lejen qeverisë gjermane, që të miratojë dërgimin nga Varshava të tankeve “Leopard” nga arsenali i saj në Ukrainë. Këtë e vuri në dukje kryeministri polak, Mateusz Moraviecki. Ai nuk përmendi një datë konkrete se kur do të shtrohet kjo kërkesë.
Më parë erdhi deklarata e ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock, sipas së cilës qeveria gjermane nuk do ta pengojë furnizimin e tankeve Leopard në Ukrainë përmes Polonisë. Duke folur në intervistë me televizionin francez LCI, Baerbock tha, se “nëse na pyesin, nuk do të nxjerrim pengesa”, por “deri tani nuk na kanë pyetur për këtë”. Krahas Polonisë edhe Finlanda është shprehur e gatshme të dërgojë tanke Leopard nga arsenali i saj në Ukrainë. Por meqënëse këto tanke janë prodhim gjerman, është i nevojshëm miratimi i qeverisë gjermane për furnizimin e këtyre arsenaleve në vende të treta