Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se Uashingtoni mbështet krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
Kështu tha kreu i diplomacisë amerikane Antony Blinken në një takim me presidentin e Autoritetit Palestinez Abu Mazen.
Në një reagim të Departamentit të Shtetit, bëhet me dije se Blinken “ka shprehur angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të rritur ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza. Ai diskutoi gjithashtu përfitimet e krijimit së shtetitPalestinez”. Sekretari i Shtetit sipas njoftimit të DASH “ripohoi se Shtetet e Bashkuara refuzojnë çdo zhvendosje të detyruar të palestinezëve nga Gaza”.
Ndërkohë raportohet se një sulm izraelit në Rafah dhe Deri Balah në qendër të Rripit të Gazës la 14 të vdekur. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar propozimin e Hamasit për t’i dhënë fund luftës dhe ka deklaruar se do të vazhdojë deri në shkatërrimin total të fraksionit islamik.
Dje (7 shkurt) ushtria u urdhërua të nisej drejt Rafahut ku qindra mijëra persona janë zhvendosur. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ishte shprehur se një sulm në Rafah do të përshkallëzonte atë që tashmë është një “makth humanitar” me pasoja të pallogaritshme rajonale.


