Gjykata e Krimeve të Rënda ka urdhëruar sekuestrimin e pronave me vlerë 10 milionë euro në kryeqytet, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtari të paligjshme si trafiku i lëndëve narkotike, veçanërisht ai i kokainës.
Vendimi është ekzekutuar nga Policia e Shtetit pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Pronat figuronin të regjistruara në emër të Luan Spahiut 53 vjeç banues në Tiranë.
Spahiu rezulton i dënuar edhe më herët në vitin 2011 me 5 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike nga Gjykata e Frajbugut.
Për çfarë u dënua: Sipas burimeve të policisë, Spahiu është dënuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Kolumbia drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera. Paratë e fituara nga kjo linjë e trafikut të kokainës, Spahiu i kishte investuar në kompaninë e ndërtimit “Pinari” në Tiranë, si dhe në disa troje ndërtimi dhe sipërfaqe toke në Selitë e në rrugën “Naim Frashëri”.
Spahiu kishte ndërtuar një kompleks banimi të cilin kishte arritur ta shiste pjesërisht. Pas hetimit të Prokurorisë, Gjykata vendosi që 32 apartamente me sipërfaqe 3400 m2 të sekuestrohen.
Sekuestro u vendos edhe mbi tri njësi tregtare në të njëjtin kompleks, me sipërfaqe 230 m2. Po ashtu një vilë tri katëshe në rrugën “Hoxha Tahsim”, me sipërfaqe 340 m2, si dhe disa garazhde u sekuestruan. Gjykata vendosi të njëjtën masë për dy sipërfaqe trojesh në rrugën “Naim Frashëri” dhe në Selitë, përkatësisht 5600 metra dhe 18 mijë m2, si dhe tri automjete të shtrenjta.
Luan Spahiu, siç e shkruan edhe në profilin e tij “Facebook”, është i martuar me një kolumbiane, dhe të dy së fundmi jetojnë në Tiranë.
AlpeNews.al





