Vijon seanca e Komisionit parlamentar të Medias në Kuvend ku po raporton ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro për skandalin e ndërtimeve në Parkun arkeologjik të Butrintit. Kumbaro ka pranuar se UNESCO-n nuk e ka pyetur për çdo projekt, ndërsa për çështjen konkrete të punimeve të brendësi të parkut i është drejtuar UNESCO-s për marrje mendimi pasi problemi është bërë publik.
“UNESCO nuk aprovon projekte në sitet arkeologjike në të gjithë botën. Nëse UNESCO ka pyetje bën, nëse nuk ka pyetje s’bën. Komunikuam drejtpërdrejt me zyrën e UNESCO në Paris. Ne nuk kemi detyrim t’i dërgojmë UNESCO-s për çdo projekt. Raporti i është dërguar UNESCO-s, ia kemi dërguar edhe me email në anglisht pas publikimit të debatit”, tha Kumbaro.
Vokshi-Kumbaros: Ndërprit punimet
Drejtuesja e komisionit, deputetja e PD, Albana Vokshi i kërkoi Kumbaros të ndërpresë menjëherë punimet. Vokshi tha gjithashtu se Kumbaro nuk i ka vënë në dispozicion komisionit të medias komunikimin e Ministrisë së Kulturës me UNECSCO-n.
Ndërkohë, kundër Kumbaros për atë që po ndodh në Butrint është rreshtuar edhe deputeti i PS në Sarandë, Alket Hyseni. Ai tha se ka një shqetësim real dhe të drejtë të qytetarëve për ndërtimin brenda parkut të Butrintit. “Kjo është një çështje sensitive, prek interesin e qytetarëve”, tha Hyseni.
Debate në komision pati edhe për pengimin e gazetarit të Report Tv që të futej në Parkun e Butrintit. Kumbaro tha se për filmimin e pasurive kulturore duhet leje, ndërsa Vokshi i kujtoi ministres se gazetari nuk ka pasur kamera me vete. Ajo i kërkoi ministres t’i kërkojë ndjesë publike gazetarit dhe Report Tv.
Raportimi i Kumbaros te Media
Albana Vokshi: Kumbaro s’na ka sjellë komunikimin me UNESCO-n. Ndërprisni tani punimet dhe vijojmë dëgjesën për atë që po ndodh në Butrint.
Luçiano Boçi: Të ndërprisni menjëherë punimet dhe seancën dëgjimore e zhvillojmë edhe në një mbledhje tjetër, kur ju të jeni gati.
Alket Hyseni: Kjo është një çështje sensitive, prek interesin e qytetarëve.
Vokshi-Kumaros: Nuk lejuat gazetarin e Report Tv të futej në parkun e Butrintit.
Mirela Kumbaro: Ka pasur një incident me gazetarin e Report Tv. Për filmimin dhe fotografimin e pasurive kulturore, të kërkohet leja e autoritetit që e administron. Ne kemi dhënë pafund leje nga BBC, CNN e deri te më të vegjlit.
Albana Vokshi: Gazetari nuk ka pasur kamera. Sot ju duhet t’i kërkonit ndjesë gazetarit dhe medias.
Mireal Kumbaro: S’kam asnjë lloj shqetësimi për këtë gjë.
Albana Vokshi: Ky është rast i paprecedentë.
Fidel Ylli: Problemi është i ndjeshëm edhe për ne. Nëse ka shkelur ligjin nuk ka ku shkon as ministri e askush. Nëse ligji është shkelur unë do jem në krahun e asaj pjese që është për informimin publik.
Burime: Policia pezulloi punimet në Butrint, urdhri u injorua
Burime për Shqiptarja.com bëjnë të ditur se policia ka pezulluar punimet brenda parkut të Butrintit në datën 2 tetor. I njëjti burim bën të ditur se edhe pse ka pasur një urdhër pas ngritjes së shqetësimit publik, sërish punimet kanë vijuar dhe pezullimi i vendosur nga policia është injoruar. Nuk dihet ende se cili autoritet i Ministrisë së Kulturës apo Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore shpërfilli urdhrin e policisë dhe lejoi të vijohej masakra në pasurinë kulturore më të çmuar të shqiptarëve, Parkun e Butrintit i cili daton që në shekullin e VII-V përpara Krishtit. Punimet në parkun e Butrintit vijojnw edhe sot e kwsaj dite.