Qeveria pritet të miratojë së shpejti ligjin për taksimin, jo vetëm të të ardhurave nga pagat, por edhe të të ardhurave të tjera që vijnë nga qiratë, e drejta e autorit, interesat nga depozitat bankare apo obligacionit.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi dje në Komisionin e Ekonomisë se skema e ri synon të përfshijë bashkë të gjitha të ardhurat në taksën progresive.
“Ne jemi duke përgatitur me Fondin Monetar Ndërkombëtar një kuadër të ri ligjor që fokusohet te procedurat, ku do të përfshijmë edhe të ardhurat e integruara në bazë të taksueshme, jo siç janë tani të fragmentuara. Çdo e ardhur do të kalkulohet si një e tërë për periudhë tatimore dhe do t’i vendoset sipër norma. Progresiviteti do të ruhet”, u shpreh Ahmetaj.
Për ta konkretizuar për qytetarët si do të funksionojë skema e re e taksimit të të ardhurave: në rast se një qytetar ka një pagë 130 mijë lekë në muaj dhe një të ardhur si qira 20 mijë lekë, ai paguan 16 mijë lekë taksa në total. Nga kjo, 13 mijë lekë paguhet për pagën dhe 3 mijë lekë për qiranë që taksohet me normë fikse 15 për qind.
Me skemën e re, të ardhurat e tij do të bashkohen me të pagës dhe do të jenë 150 mijë lekë në muaj. Me taksimin progresiv, ky qytetar do të paguajë 17 mijë e 600 lekë në muaj. Pra taksa do të rritet 1600 lekë në muaj.
DEBATI
Opozita, dje në Komisionin e Ekonomisë iu kthye edhe një herë akuzave për kriminalitetin e ekonomisë dhe arbitraritetit që qeveria po zbaton në uljen e pragut të TVSHsë për biznesin.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, përsëriti se opozita do të dërgojë në Kushtetuese ligjin e TVSH-së së biznesit, pasi qeveria, në kundërshtim me Kushtetutën, do të miratojë vetë kategoritë që përjashtohen nga ulja e pragut. Deputetja Tabaku tha se përjashtimi i kategorive është tagër i Parlamentit, dhe jo i Qeverisë.
Por kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, deklaroi se kjo praktikë është përdorur edhe nga qeveritë e mëparshme, në 2009-n e në 2013-n, dhe për këtë është shprehur Kushtetuesja. Pas debateve, opozita u largua nga salla e komisionit, ku maxhoranca vijoi diskutimet për paketën fiskale.
TAKSAT E REJA
Ministri i Financave, Ahmetaj, gjatë prezantimit u ndal në të gjithë elementët e rinj që sjell paketa e re fiskale. “Te ligji i tatimit mbi të ardhurat të ndryshuar, kemi dy elementë që kanë të bëjnë me paketën e turizmit dhe uljen e normës, nga 15 për qind në 5 për qind për prodhimin e softuereve”, tha Ahmetaj.
Ministri i Financave shpjegoi edhe ndryshimet për taksën e makinave të luksit. “Për makinat e luksit kemi vendosur një taksë, duke iu referuar autoveturave 4+1, tani kemi kërkuar që të ndryshohet që kjo taksë të paguhet për makinat me kapacitet deri në 6+1. Në referencë të praktikës doganore, edhe autoveturat janë të lidhura me këto definicione, pra me kapacitetin e vendeve”, sqaroi ministri.
Paketa fiskale përfshin edhe rritjen e akcizës së duhanit 7 lekë për paketë. Ministri i Financave shpjegoi ndryshimet. “Jemi duke vazhduar skedulimin e rritjes së akcizës. Ky skedulim rritës i akcizës së duhanit u ndërpre dy vitet e fundit. Po e marrim përsëri për të mbajtur shkallën rritëse të këtij produkti në nivelet e rajonit. Po ashtu, kjo është pjesë e politikës sonë antiduhan në favor të shëndetit”, u shpreh Ahmetaj.
DORINA AZO/PANORAMA